Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron për ATSH se instrumenti i garancisë bankare prej 11 miliardë lekësh, i vendosur në dispozicion të biznesit të madh, për të minimizuar efektet për shkak të infeksionit COVID-19, do të zgjidhë problematikën e parë, që lidhet me pagesën e atyre punonjësve që një biznes nuk do të donte t’i shikonte të larguar në marrëdhënien e drejtpërdrejtë.
Në një intervistë për ATSH-në, ministrja Denaj shprehet se artikulimi i këtij instrumenti është bërë pas shpalljes së paketës së mbështetjes financiare dhe ekonomike që kryeministri ka prezantuar para disa javëve dhe që buxheti i shtetit e reflektoi në Aktin e tij Normativ, pas rishikimit në datën 23 mars.
“Instrumenti i garancisë bankare është një instrument, i cili përpara se të lancohej është diskutuar gjerësisht me përfaqësues të bankave, për të realizuar një produkt, i cili të jetë i mundshëm të përdoret efektivisht nga institucionet që do ta lëvrojnë atë. Sigurisht bankat kanë në portofolet e tyre klientë, të cilët në nevojën për likuiditete mund të adresojnë si nevojën e kërkesës për pagat, ashtu edhe për produkte të tjera, në veçanti për kapital qarkullues.
Megjithatë ky produkt është adresuar në radhë të parë për pagat, pasi kjo në situatën aktuale, është më e rëndësishme dhe më e nevojshme për të marrë qasjen proaktive”, tha Denaj për ATSH.
Sigurisht bizneset janë të dyzuara lidhur me aspektin se sa kjo do t’i japë 100% efektivitetin e nevojshëm.
“Më duhet të theksoj se bizneset nuk mund të shohin si zgjidhjen e vetme fondin e garancisë, si një instrument që do të zgjidhë të gjithë problematikat e tyre në raport me likuiditetin, por në këtë fazë të parë, do të zgjidhë problematikën e parë, që lidhet me pagesën e atyre punonjësve që një biznes nuk do të donte t’i shikonte të larguar në marrëdhënien e drejtpërdrejtë”, bën të ditur ministrja Denaj.
Dhe si e tillë, shprehet ajo, fondi i garancisë krijon një mundësi që biznesi të marrë një kredi me garanci sovrane, një produkt financiar me procedura të thjeshtuara, norma interesi të ulura dhe pa kolateral, që banka dhe biznesi kanë ngërçin kryesor.
“Konsultimi me bankat dhe bizneset është menaxhuar në një periudhë tre javore nga ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi dhe përfaqësues të tjerë të grupit të Task Forcës kanë bërë. Në qasjen e tyre të kërkesave ka prevaluar kryesisht kërkesa në raport me taksimin”, u shpreh ministrja.
Në fillim të kësaj jave qeveria miratoi vendimin për garancinë shtetërore të huasë me bankat e nivelit të dytë për pagat e bizneseve, aktiviteti i të cilëve është prekur nga vendimet e qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, si edhe për përcaktimin e kushteve dhe kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimi.
Në bazë të vendimit, bankat e nivelit të dytë do të ofrojnë një normë interesi preferenciale, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre ankandeve të fundit të bonove të thesarit 12 mujore plus një marzh prej 0.5%, por në asnjë rast jo më të lartë se 2.85%. Bankat nuk do të aplikojnë kosto administrative mbi kredinë.
Në instrumentin e kredisë së garantuar nga kredia sovrane, biznesi mund të përfitojë një periudhë pa pagesë principali, jo më pak se 3 muaj.
Subjektet private duhet të përcjellin kërkesat e aplikimit për kredi pranë njërës prej bankave të nivelit të dytë, jo më vonë se 30 ditë nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Garancisë Shtetërore mes Këshillit të Ministrave dhe Bankës përkatëse.