Prej datës 14 mars, futbolli shqiptar “uli siparin” ashtu si në shumë vende të botës për shkak të rrezikut të madh të përhapjes së epidemisë Covid-19, që më pas u zyrtarizua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si Pandemi.
Nga ajo ditë, të gjithë protagonistët e futbollit në vendin tonë janë vetëkarantinuar dhe sigurisht janë stërvitur në kushte shtëpie ose shumë të kufizuara (qoftë ndonjë vrapim në kodrat e liqenit apo në fusha). Megjithatë, tani që Shqipëria duket se po merr frymë dhe valën e Covid-19 është duke e kaluar me sukses, Federata Shqiptare e Futbollit po projekton edhe rikthimin në fushë.
Objektivi është të mbyllet kampionati sezoni brenda datës 3 gusht, ashtu sikurse Ilir Shulku, sekretari i FSHF, ka deklaruar kohët e fundit. FSHF ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me UEFA, ndërsa gjithashtu nuk ka asnjë dyshim që të gjitha takimet do të jenë me dyer të mbyllura.
“Ekziston një datë, pra fundi i majit, kur mund të rinisim me futbollin. Do të ishte ideale pasi do të mbyllnim brenda fillimit të gushtit, pra në dy muaj, të gjitha ndeshjet në kalendar, përfshirë edhe Kupën e Shqipërisë, duke dorëzuar listat në UEFA më pas”, tha Shulku.
Ndërkohë, FSHF është në kontakt edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, për të pasur një protokoll të sigurisë dhe higjenës, duke marrë masat e nevojshme si testimet e lojtarëve dhe protagonistëve.
Sa i përket stërvitjeve, pritet që rikthimi me grupe pune si jashtë vendit, pra me 4 futbollistë maksimumi, të bëhet në javën e dytë të muajit maj. Megjithatë, kjo mbetet ende hipotezë deri tani.