Për sektorët e turizmit, fasonët dhe bizneset prodhuese qeveria ka vendosur një tjetër garanci sovrane prej 150 mln dollarë për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi. Kryeministri Edi Rama tha se risku për garancinë sovrane do të ndahet mes qeverisë dhe bankave duke pasur parasysh nevojën e sektorëve. Një tjetër lajm për bizneset është edhe shtyrja e tatim fitimit. Të gjitha sipërmarrjet me përjashtim të sistemit bankar, telekomunikacionit dhe furnizimit me mall, pagesat e kësteve të tatim fitimit do të mund ti bëjnë pas 30 shtatorit. Ndërsa për turizmin, fasonët, call center dhe bizneset e vogla deri në 14 mln lekë në vit pagesat do të shtyhen përtej 31 dhjetorit të këtij viti, të kësteve të tatim fitimit.
“150 mln dollarë garanci sovrane për turizmin, fasonët dhe bizneset prodhuese me ndarje risku mes qeverisë dhe bankave duke pasur parasysh nevojën e sektorëve. Ne kemi vendosur se nuk mund ta bënim dje, gjithmonë duke parë dinamikën, se nëse lufta do të na thoshte se mbaron nesër paketa do të ishte ndryshe. Në instrumentin e parë vendosëm që qeveria të marrë përsipër koston e interesit për kreditë. Po ashtu paketa e zgjeruar përcakton se të gjitha sipërmarrjet, sistemin bankar, telekomunikacionin dhe furnizimit me mall, që kanë pasur volum të rritur, pagesat e kësteve të tatim fitimit do të mund ti bëjnë pas 30 shtatorit. Për turizmin, fasonët, call center dhe bizneset e vogla deri në 14 mln lekë në vit pagesat do të shtyhen përtej 31 dhjetorit të këtij viti, të kësteve të tatim fitimit. Shtyrja do të bëhet në mënyrë proporcionale. Paketa do të miratohet brenda 48 orëve dhe shuma do të lëvrohet pas 20 prillit” tha ai.