Italia do të njoftojë planet për hapjen graduale të vendit ketë javë pas izolimit total të krijuar për shkak të koronavirusit. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i vendit Giuseppe Conte me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Conte shtoi se masat për ngadalësimin e koronavirusit do të lehtësohen duke filluar nga 4 maji.

Ndër të tjera, në statusin e tij, Giuseppe Conte shkruante:

Do doja që të mund të thoja: le t’i hapim të gjitha. Menjëherë. Fillojmë nga nesër në mëngjes…Por një vendim i tillë mund të ishte papërgjegjshmëri. Do të bënte që kurba e epidemisë të rritej në mënyrë të pakontrolluar dhe do të hidhte poshtë të gjitha përpjekjet që kemi bërë deri më tani.

Kryeministri italian shtoi gjithashtu se duhet vepruar me një plan kombëtar rihapjeje, i cili merr parasysh veçoritë territoriale. Italia është vendi i tretë në botë më i prekur nga koronavirusi. Deri më tani, vendi fqinj numëron 181 228 të infektuar dhe 24 114 viktima.