Si gjallërohet ekonomina e bllokuar nga pandemia? Përgjigjja është: me shumë, shumë kujdes.

Teksa koronavirusi vijon të përhapet nëpër botë, qeveritë europiane po mendohen si të rihapin fabrikat, zyrat dhe shkollat duke minimizuar shanset e përhapjes së mëtejshme. Të hënën, Austria tha se do të rihapë dyqanet pas Pashkëve, duke u bërë shteti i parë në Europë që merr këtë vendim.

Qeveritë ndihen gjithnjë e më në presion për të shpjeguar planet e tyre sepse masat e ndërmarra prej pandemisë po shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike. Furnizimi me ushqim dhe përkujdesja shëndetësore mund të rrezikohen nga kohëzgjatja e tepruar e masave kufizuese.

Lëvizja do të vijojë të kufizohet për javë të tëra – në ca shtete, muaj – por planifikimi i detajuar dhe i parakohshëm mund të mbrojë shtresat e prekura dhe mund të ndihmojë ekonominë të rigjallërohet më me lehtësi. Një gabim rezulton në një tjetër epidemi, kufizime të tjera dhe më shumë dëme ekonomike.

Në Gjermani, ku janë prekur 100 mijë njerëz me koronavirus dhe kanë vdekur rreth 1600, një grup ekonomistësh, avokatësh dhe ekspertësh mjekësorë rekomandojnë një rigjallërim gradual të ekonomisë më të fuqishme europiane që lejon industri specifike dhe punonjës t’i rikthehen punës dhe të parandalojnë një tjetër epidemi.

Me dhjetëra akademikë shkruajnë në raportin e publikuar nga Ifo Institute for Economic Research, se “nuk presim një vaksinë apo trajtim efektiv para vitit 2021. Si rrjedhim, Gjermania duhet ta luftojë sëmundjen “si maratonë dhe jo si sprint.”

“Masat e ardhshme duhet të dizenjohen dhe përgatiten që të sigurojnë mirëqenie dhe nga ana tjetër të mund të zbatohen për periudhën që nevojitet,” shkruajnë ekspertët. “Planifikimi për këtë tranzicion duhet të nisë menjëherë në politikë, administratë, kompani dhe organizata të tjera.

Gjermania ka urdhëruar mbylljen e shkollave, restoranteve, parqeve, stadiumeve dhe shumicës së dyqaneve deri më 20 prill, duke përkeqësuar ekonominë që ishte prag një recensioni.

Si të gjallërosh një ekonomi

Qeveria gjermane po shpërndan paketën e ndihmës ekonomike me vlerë 750 milionë euro që përfshin kredi për bizneset, blerje aksionesh në kompani dhe mbështetje financiare për punonjësit me leje. Paketa financiare është ndër më të mëdhatë në botë.

Raporti i Ifo këshillon që shteti të krijojë një task forcë kombëtare prej ekspertësh dhe përfaqësuesish publik që të përpilojë rekomandimet mbi lehtësimin e kufizimeve në jetën publike dhe profesionale si dhe mbi momentin e përshtatshëm për rihapjen e fabrikave të prodhimit. Rikthimi në punë për punonjësit duhet të jetë vullnetar.

Industri si telekomunikacioni dhe prodhimi i automobilëve, që i shtojnë vlerën më të madhe ekonomisë, duhet të kenë prioritet, thotë raporti, ndërsa puna që mund të bëhet nga shtëpia, të vijojë ashtu. Çerdhet dhe shkollat duhet të hapen sa më shpejt, sepse të rinjtë nuk kanë simptoma të rënda dhe prindërit nuk mund të punojnë nëse këto institiucione janë mbyllur.

Po eventet dhe klubet e natës?

Kompanitë që prodhojnë produkte që nevojiten në shëndetësi duhet të hapen sa më shpejt, ndërsa hotelet dhe restorantet duhet të hapen me “kujdes dhe në një mënyrë të kontrolluar.” Diskot dhe klubet duhet të qëndrojnë të mbyllura për tani dhe eventet e mëdha dhe grumbullimet e njerëzve të vijojnë të ndalohen.

CNN