Prej 1994 i je qepur familjes sime. Nuk e gëlltit dot faktin që ka gazetarë në republikën e Shqipërisë që nuk të kanë frikë. Im shoq i pari. Quhet Carlo Bollino. Më vinte për të qeshur kur njerëz anonimë të dashuruar pas teje më “këshillonin” përmes e-maileve të ndërroja mbiemër: “Pse nuk merr mbiemrin e bashkëshortit? Malltezi është ai i vajzërisë”. Të gjithë sikletin e kishin pse unë quhem Malltezi, njësoj si kushëriri im i dytë, bashkëshort i vajzës tënde të dashur, Argitës. Dhe… bëja shkrime që kundërshtonin atë, të paprekshmin, Sali Berishën. Nuk shkon apo jo? Sipas mentalitetit tënd fisnor e klanor, një Malltez (e vetmja familje me këtë mbiemër në Shqipëri, ndryshe nga qindra Berishë) të shkruante kundër teje? Nejse, nuk e kam vrarë mendjen fare për këtë, pasi im atë më ka rritur të jem e të shprehem e lirë.
Duke shpifur në gjithë këto vite për tim shoq për dhjetëra afera korrupsioni, afera miliardere, na ke hapur një problem të madh në fis. Disa më mbajnë inat, pasi besojnë (si “demokratë” të flaktë krah teje) se jam milionere edhe unë (meqë falë Zotit e dashurisë për familjen nuk jam e divorcuar deri sot që flas) nuk u kam dhënë asnjë kacidhe, nuk kam ndarë me ta as para, as vende pune në dogana, tatime, polici, ministri, banka e ku ta di unë se ku, marifete që duket i dinë mirë disa në kohën e mbretërisë tënde ekonomike.E megjithatë nuk dua të flas keq e të krijoj inate në këto kohë të vështira pandemie e karantine, pavarësisht se dy tre herë në javë na e bën për borxh të të themi më shumë se nga ato që shpif nga fantazia dhe keqdashësia jote.
Dua të bëj vetëm një falenderim të sinqertë: Faleminderit Sali, që të paktën nga të gjithë Malltezët, duke nisur nga unë që u bëra 24 vite në gazetari, nga vëllai im bukëpjekës prej 3 dekadave në Itali, djemtë e xhaxhallarëve infermierë apo muratorë po në vendin fqinj, babai im pensionist, djemtë e xhaxhallarëve të tij Malltezi gjithashtu, pensionistë edhe ata, pra të gjithë si fis me të ardhura mesatare, me një jetë si shumica e qytetarëve të Shqipërisë apo të emigrantëve që jetojnë ndershëm në Itali (asnje nga ne s’ka saraje as ne Lalez, as ne Tirane, as ne Durres, as ne Shijak), na nxorre një Malltez milioner të vërtetë. Të gjithë krenohemi me Jamarbërin që jo milionere si unë, me shpifjet dhe fantazitë e tua, por me letra, e zezë mbi të bardhë, është pronar i miliona pasurive të patundshme në Tiranë. Thonë se i ka trashëgim nga nëna e tij e ndjerë. Mrekulli. Vetëm se uroj që të jetë gjithashtu barabartë milioner edhe babai i Jamarbërit, motra e tij, të tjerë kushërinj nga mamaja, se ndryshe, nëse nuk janë multimilionerë edhe ata, mësohet kollaj se kush e bëri milioner kushëririn tim.