Nga Mero Baze/ Sa më shumë lajme të mira ka nga frenimi i pandemisë në Shqipëri, aq më shumë alarme fallco ka se gjërat po bëhen gabim. Më tipiku në këtë histori është Tritan Shehu, i cili dikur ka qenë dhe mjek.

Fillimisht ai “parashikoi” se në Shqipëri do bëhet hataja, pasi Qeveria shqiptare nuk mori masa qysh në janar të mbyllte kufijtë, kur kishte shpërthyer në Kinë. Pastaj sulmoi ashpër Qeverinë kineze se nuk e menaxhoi si duhet situatën, ndërkohë që Qeveria kineze është e lavdëruara në botë për këtë. Kur virusi arriti në Itali, Tritani parashikoi se në Shqipëri do kishte kurbë eksponenciale, pasi nuk u ndaluan avionët me Italinë.

Kur pacienti zero në fillim të marsit u identifikua që kishte ardhur në rrugë tokësore nga Mali i Zi prej Italisë, Tritani akuzoi Qeverinë shqiptare se dështoi, pasi duhet të kishte mbyllur portet, aeroportet dhe gjithë kalimet tokësore. Kur Shqipëria mbylli gjithçka pas pacientit zero javën e parë të marsit, Tritani filloi të ulëriste pse Shqipëria mbylli kufijtë dhe la njerëzit e saj rrugëve. Kur filluan testet të përdoreshin si metodë gjurmimi pas shfaqjes së pacientëve pozitiv, Tritani ulëriste se duhen teste në gjithë Shqipërinë në ḑo paicent. Gati- gati dukej sikur ishte shitës tamponësh, pasi kishte të njëjtin përgjërim që ka Petrit Vargu për tenderin e respiratorëve.

Kur testet orientuese që përcaktoi Komiteti Anti COVID-19 dhanë rezultate dhe izoluan gjithçka, Tritani ulëriste se po fshehin të vërtetën, biles dhe vdekjet. Tani që shifrat vazhdojnë e bien dhe situata në spitalin infektiv duket më e qetë, Tritani thotë kemi hyrë në fazën më të rrezikshme, se janë paralajmëruar masa zbutëse. Kur Edi Rama ishte në kulmin e masave shtrënguese, Tritani ulëriste se njerëzit po vihen nën presion psikologjik dhe kjo është e dëmshme…

Për të gjithë ata që nuk e mbajnë mend Tritan Shehun para 97 (pasi të gjithë e identifikojnë me atë punën në Lushnjë), ky njeri  ka qenë edhe mjek, edhe ministër Shëndetësie. Një nga vendimet që ka pas marrë si ministër Shëndetësie, por që i ngeli rrugës, ka qenë mbyllja e Spitalit Infektiv. Për fat nuk e mbylli dot, pasi ra kolera në Kuçovë. Me mendtë e tij, tani do ishim dhe pa Spital Infektiv.

Tani koronvirusin dhe mund ta shpjegojmë një ditë pas shumë studimesh shkencore. Edhe vaksinën mund t’ia gjejnë, se ka nisur garë e madhe. Edhe ilaçin e mjekimit ndaj saj mund ta kemi së shpejti. Por dyshoj se dikush mund të gjejë ndonjë shpjegim llogjik, përse ky njeri ka qenë mjek, përse ka qenë minister, dhe përse ishte deputet, kur është kaq idiot.

E gjithë kjo më kujton historinë e një mjeku shumë të njohur, SH.K ., ish- themelues i PD. Në vitin 1992, ai dhe shumë mjekë, edhe pse ishin mbështetës të PD, nuk e kuptonin pse Berisha kishte zgjedhur Tritanin, ministër.

Sqarimi i erdhi vetiu në një mbledhje të jashtëzakonshme në PD, kur Tritani u ngrit dhe denoncoi se shumë mjekë, nëpër korridore të Spitalit, tallnin doktor Berishën dhe flisnin keq për të. Dhe akuzoi me emër mjekun në fjalë, SH.K. Berisha tentoi ta mbyllte “sherrin” duke i bërë me dorë mjekut të njohur të mos replikonte.

-Jo nuk kam replikë, tha. Tritani më ka hequr një dilemë të madhe që më mundonte mua dhe shumë kolegë të tjerë, pse ky njeri u bë ministër. Tani u sqarova. Si ky të duhej.