Alfred Peza/ Me siguri që askush as ka pritur dhe as prêt në të ardhmen e afërt, që të dëgjojnë ndonjë nga liderët e opozitës shqiptare që janë sot në qarkullim, që të mbajë një fjalim si ai në Portugali. Imagjinoni për një moment që në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, aty ku gjuhet veç me baltë, çizme, bojë, vezë, grushta e shqelma, e ku bëhet thirrje për revolucione e armatosjen e shqiptarëve, të çohen Basha, Berisha, Meta apo Kryemadhi e të mbajnë këtë fjalim, si edhe lideri i opozitës portugeze:

“Në këtë betejë nuk është qeveria e PS, por qeveria e Shqipërisë, të cilën të gjithë duhet ta ndihmojmë në këtë moment, sepse duhet ta mposhtim këtë fatkeqësi. Ne partitë e “Opozitës së Bashkuar”, nuk jemi kundërshtarët e aq më pak armiqtë tuaj, por ne jemi sot bashkëpunëtorët tuaj”.

E pas kësaj fjalimi të përmbyllet me fjalët që do të gdhendeshin përjetësisht në histori: “Në këtë moment duhet të jemi të gjithë ushtarë të gatshëm për të ndihmuar vendin në këtë betejë. Të ndihmojmë që Shqipëria jonë të fitojë me sa më pak humbje. Zoti Kryeministër, ju sigurojmë se keni bashkëpunimin e plotë të opozitës, e do tju ndihmojmë me çfarë mundemi. Ju urojmë kurajo z. Edi Rama, nerva të forta dhe shumë fat. Sepse fati juaj është fati ynë”! Në një vend ku opozita bën sistematikisht politikë edhe me përmbytjet, zjarret masive, tërmetet, me Covid-19 e me vdekjet dhe fatkeqësitë që sjellin ato, sigurisht që nuk mund të presësh akte kaq të larta qytetarie e pjekurie demokratike. E aq më pak, gjeste që do të demonstronin koshiencën maksimale, për lartësinë e sfidës në të cilën ndodhemi.  Ajo që të habit më shumë e të le krejt pa mend, në këtë qasje të paprecedentë opozitare, është diçka krejt tjetër.

“Të gjithë ofrojnë gënjeshtra të vogla, por rrallëkush ka guximin që të thotë gënjeshtra gjigande. Pikërisht për faktin se gënjeshtra është aq e madhe dhe e pazakontë, njerëzit do ta pranojnë”. Këtë citohet ta ketë thënë Adolf Hitleri dhe ta ketë zbatuar Joseph Goebbels këtu e 7-8 dekada më parë.

Atëherë nuk kishte internet, rrjete sociale, media online e televizione. Ishte epoka kur gazeta dhe radio ishin në gjendje ta çonin botën drejt dy luftrave botërore. Ndërsa sot, bota dhe Shqipëria është në një luftë të re. Në luftën kundër koronavirusit dhe askush nuk mund të gënjehet dot as nga gënjeshtra të vogla, e as nga gënjeshtrat mesatare. Nga të mëdhatë dhe të pazakontat, jo e jo më. Por kjo nuk e pengon aspak opozitën tonë, liderët dhe propogandën e saj që të vazhdojnë të gënjejnë në mënyrën më të hatashme të mundshme. Shifrat e luftës ndaj Covid-19, janë publike për të gjithë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë planetin. Spitalet, urgjencat dhe të gjitha hallkat e tjera të sistemit shëndetësor, janë të monitoruara pa ndërprerje.

Çdo qytetar që ka shqetësime, shenja e dyshime se është i prekur, mund të kërkojë ndihmë në urgjencë dhe nëse ajo nuk i jepet, mund ta bëjë publik rastin në çast. Mediat mezi e presin një lajm të tillë. OBSH e institucionet e tjera ndërkombëtare, monitorojnë dhe japin rregullisht informacion. Për ta dhe mediat botërore, gjendja në Shqipëri është ndër më të mirat, në raport me situatën globale.

Por, opozitarët tanë kjo gjë nuk i kënaq. Ndaj herë hapin debate për testimet, herë për pacientët që sipas tyre mbahen të fshehtë. Një herë për vatra inekzistente të virusit. E deri tek deklarimet skandaloze se në Shqipëri të vdekurit nga covid-19 “janë të paktën 10-15 herë më shumë”, apo makabritete të tjera të këtij lloji, me viktima që u përcillkan ilegalisht nëpër varre të fshehtë. Kjo lloj qasje dhe mënyre të të bërit opozitë, në vend që ta dëmtojë, e ndihmojnë mazhorancën aktuale. Çdo qeveri ka të metat e saj. Diku më të mëdha, e diku më të vogla. E për ta dëmtuar atë, mjafton që ti evidentosh, e ti bësh publike ato. Por, opozita jonë ndryshe nga të gjitha opozitat e tjera të botës demokratike sot, ka guximin që të thotë gënjeshtra aq gjigande dhe të pazakonta, sa edhe habitet pastaj se përse shqiptarët nuk ua besojnë!

Arsyeja është e thjeshtë. Kanë kaluar shumë kohë nga vitet ’30-’40 të shekullit të kaluar, kur Europa sillte në skenë politikanë të tillë. Nëse liderët e opozitës sonë do të zgjidhnin të mbanin një fjalim në Parlament, si ajo që mbajti lideri i opozitës në Portugali e të silleshin kësisoj në vijimësi, me siguri që në zgjedhjet e ardhshme kjo mazhorancë mund ti kishte punët pisk. Por me këtë lloj qasje, liderët e opozitës sonë në vend që ta dëmtojnë, thjeshtë po e forcojnë akoma më tepër pushtetin e Edi Ramës dhe PS.