Foshnja e një infermiere në Britaninë e Madhe ka ardhur në jetë me sukses pasi e ëma vdiq nga COVID-19. Mary Agyeiwaa Agyapong, 28 vjeç, ishte punonjëse prej pesë vitesh në Spitalin Universitar Luton dhe Dunstable, ku dhe humbi jetën. Një zëdhënëse në spital tha se “fëmija i infermieres ishte shumë mirë”, megjithatë ajo s’mund të jepte asnjë informacion të mëtejshëm.
Agyapong u pranua në spital më 7 prill, pasi kishte testuar pozitive për COVID-19 dy ditë më parë. David Carter, shefi ekzekutiv i Spitalit NFS Foundation Trfordshire, tha se ajo ishte një infermiere fantastike dhe një shembull i shkëlqyeshëm i asaj që ne duam.
“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e Marisë në këtë kohë të trishtueshme,” tha ai. Burri i zonjës Agyapong aktualisht është vetë-izoluar pas testimit për COVID-19. Kolegët i kanë bërë homazhe Agyapong. Po ashtu, një faqe për mbledhje fondesh nën emrin Mary Boateng (Boateng është mbiemri i saj pas martesës) është krijuar për mbështetjen e familjes së saj.
Faqja ka arritur në thuajse 4500 paund që pas krijimit të saj të mërkurën në mëngjes.
Një ish-koleg tha se Mary Agyeiwaa Agyapong “i kishte kushtuar jetën e saj NHS si infermiere”.
Renai Mcinerney shkroi: “Motra Mary ishte kolegia ime, unë punova përkrah saj për disa vjet. Ajo meriton që ne të kujdesemi për familjen e saj, pasi ajo ia kushtoi jetën NHS si infermiere. Është koha që të kujdesemi duke i dhuruar diçka të vogël, por po kaq të madhe në këtë kohë nevoje familjes së saj. Motra Mary u preftë në paqe!”