“Milani duhet ta mbajë Ibrahimovic, ai mund ta bëjë ende ndryshimin”. Kevin Prince Boateng, si ish-lojtar kuqezi, nuk ka dyshime për vlerën e suedezit. Qëndrimi i këtij të fundit në Milano mbetet një nga nyjet që duhet të zgjidhet nga klubi: “Milani duhet ta mbajë atë. Ishte e lehtë për mua të luaja me të, e kuptova menjëherë. Zlatan i ndihmon shumë shokët e tij të skuadrës, krijon shumë hapësira. Kur luaja me të, më jepte topa, për të cilët ëndërroja. Ai ishte partneri i përsosur. Na kritikonte të gjithëve nëse nuk e pasonim topin mirë, ose gabonim para portës. Por, duke bërë këtë, na dha një mësim të mirë”.
Lojtari ganezo-gjerman, i huazuar te Besiktas nga Fiorentina, promovon uljen në pankinën kuqezi të Ralf Rangnick. “Ai mund ta ndihmojë shumë Milanin, jo vetëm brenda fushës së futbollit, – tha Boateng për “Skysport”. – Ai është një person shumë inteligjent, që vlerëson detajet, di si të flasë me lojtarët. Ky është çelësi i tij”.