Juventusi nuk heq dorë nga ideja për të arritur herët a vonë te Mauro Icardi. E tentoi dy vera më parë, e “preku” atë verën e kaluar, ndërkohë që në përpjekjen e tretë, “martesa” mund të konkretizohet. Po si? Ndër të tjera, në mënyrën më të çuditshme të mundshme.
Po, po, sepse sipas “Tuttosport”, në këtë strategji të Juventusit, do ta kishte para së gjithash rolin e shëlbyesit PSG-ja. Klubi parizien, edhe pse dukej i orientuar për të mos u fokusuar te Mauro Icardi, do ta blejë atë, sidoqoftë, nga Interi. Bardhezinjtë pritet të hynë në lojë më vonë. Plani është i tillë: PSG duhet ta blejë Icardin dhe më pas t’ia japë “Zonjës së Vjetër”. E thjeshtë, sepse në mesin e bardhezinjve luajnë të paktën katër lojtarë, që Leonardo i kërkon prej një kohe të gjatë.
Me Icardi në zotërim, ai do të kishte në dorë një karrem jo të keq për të marrë ndonjërin prej tyre në ekip. Midis këtyre, sigurisht që është Miralem Pjanic, por CEO brazilian, gjithashtu, i pëlqen Paulo Dybala e Douglas Costa. Po ashtu, i pëlqen Alex Sandro, me të cilin po mendon të zëvendësojë Layvin Kurzawa. Ky është elementi i ri, që mund ta kompletojë enigmën.
Mbrojtësi i majtë brazilian është një garanci dhe Juventusi do të dëshironte ta mbante atë. Sidoqoftë, është edhe një nga lojtarët që mund të garantojë një nga fitimet kryesore, duke pasur parasysh vlerësimin 40-50 milionë euro. Për të u shpenzuan 26 milionë euro në vitin 2015, për ta blerë nga Porto. Pra, braziliani nuk është zhvlerësuar, përkundrazi.
Ndër të tjera, bardhezinjtë kanë ndjekur prej një kohe zëvendësuesin e mundshëm të Alex Sandro. Emri i tij është Emerson Palmieri i Chelsea, i gatshëm më shumë se kurrë të kthehet në Itali, gjatë verës. Atij do t’i bashkohej Luca Pellegrini, duke u kthyer nga huazimi te Cagliari, për të përforcuar mbrojtjen.
Nëse do të angazhohej vetëm Alex Sandro në operacionin me PSG-në, padyshim që nuk do të ishte një shkëmbim i barabartë, por do të ulte dukshëm koston e Icardi.