Nga Alfred Peza
Pandemia globale është përjetuar nga klasa politike shqiptare në Prishtinë, ndryshe nga ajo e elitave të 193 vendet e tjera të botës, që janë prekur prej saj. Në vend që karantina e detyrueshme si i vetmi “ilaç” për tu ruajtur nga infektimi vrasës, të mbyllte “brenda shtëpisë” edhe problemet e akumuluara nga politika, ajo i nxiti pothuajse të gjitha palët e saj, që të përfshiheshin në një garë të çudtishme për të kundërtën!
Ajo që ka rënë në sy në këtë luftë kundër virusit vrasës, ka qenë sjellja “parapolitike” e aktorëve kryesorë të jetës së Kosovës, të cilët nuk ja dolën dot që të ngriheshin në lartësinë e seriozitetit dhe të përgjigjësisë së momentit. Debati ka dalë nga zyrat, nga protokollet, nga kodet e shkruara e të pashkruara të komunikimit në këtë nivel, nga institucionet dhe është derdhur e gjitha si një përrua I pakontrolluar në media dhe rrjetet sociale.
Në këtë mënyrë, elita politike shqiptare atje, ka dëshmuar më e pakta përpara gjithë qytetarëve të vet dhe në sy të botës, një mungesë të pjekurisë së saj politike, mungesën e kulturës së komunikimit publik, mungesën e respektit për votuesit e tyre, për institucionet demokratike e legjitime të vendit dhe për historinë mbi 20 vjeçare të shtetit më të ri në Ballkan.
Më konkretisht e gjitha kjo është parë në disa plane:
Së pari, rrëzimi i qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti i dalë nga procesi i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, ndodhi në ditët e parë të fillimit të pandemisë, duke dhënë provën e qartë se më shumë sesa për masat e jashtëzakonshme mbrojtëse për shëndetin dhe jetën e popullatës, klasa politike në Prishtinë ishte e interesuar për lojërat e pushtetit të saj.
Së dyti, tani në kulmin e kurbës së goditjes së Covid-19 në Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi duke mos pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të shprehej në lidhje me situatën e krijuar, firmosi dekretimin e Avdullah Hotit të LDK, duke e mandatuar atë për krijimin e qeverisë së re. Nxitimi për të patur dy qeveri, njëra e krijuar përmes procesit kushtetues dhe tjetra jashtë këtij procesi (pavarësisht se mund të marë shumicën e votave në Kuvend), në vend të zgjidhjes dhe qetësimit të situatës, çon në rritjen e tensioneve dhe acarimin e saj.
Së treti, përplasja ekstreme politike për pushtet, në mesin e një situate lufte ndaj një virusi vrasës që ka infektuar qindra dhe vazhdon të marë jetë njerëzore edhe në Kosovë, është e paprecedentë për çdo shtet tjetër të globit dhe demokraci sado e brishtë qoftë ajo. Edhe OKB, OBSH, Papa e aktorë e faktorë të tjerë me peshë ndërkombëtare, kanë bërë thirrje për ndaljen e çdo lloj lufte në këtë periudhë në çdo shtet e territor të botës. Por, kjo nuk vlente me sa duket, vetëm për liderët politikë në Prishtinë.
Së katërti, si Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ashtu edhe Presidenti Hashim Thaçi, që janë përfshirë në një “konkurs” të paprecedentë fyerjesh e sharjesh në publik. Janë shumë, por mjafton të përmendim dy: “Ndërmarrje kriminale” e ka cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje, kreu i shtetit. Ndërsa kreu i qeverisë ka kundëreaguar ndaj Thaçit, duke thënë se ai e kish bërë këtë “duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studio televizive”.
Së pesti, ky ngërç politik në kulmin e pandemisë globale, ka dëshmuar në shumë veprime dhe mosveprime të liderëve politikë të Kosovës, mungesën e respektit për institucionet legjitime e kushtetuese të vendit. Vendosjen e “unit” të liderëve, mbi interesat e qytetarëve të thjeshtë. E në fund të fundit, vendosjen e interesave personale dhe të partive të tyre, mbi interesat e Kosovës.
Së fundi, e gjithë kjo periudhë, por edhe ajo që i ka paraprirë asaj, ka shënuar një tendencë tejet të panevojshme deri edhe të dëmshme. Sepse përplasjet mes palëve, janë shoqëruar si kurrë më parë në 2 dekadat e fundit, edhe me sulme të ashpra ndaj dy aleatëve më të mëdhenj të Kosovës dhe shqiptarëve: SHBA dhe BE. Kjo është shoqëruar edhe me fushata linçuese në rrjetet sociale e media, nga anëtarë e deri në nivelet e tjera drejtuese të partive.
Karantina në vend që të mbante qytetarët brenda për tu mbrojtur nga Covid-19, nxorri jashtë shtëpisë së madhe të përbashkët, problemet e mëdha reale që ka kjo elitë politike sot. Armiqtë e Kosovës edhe po të donin, nuk do të mund të na dëmtonin duke e përçarë më shumë se kaq, faktorin shqiptar në këtë periudhë. Bashkë me largimin e rrezikut të pandemisë dhe rikthimin e jetës normale për qytetarët, e vetmja gjë që mbetet, është të urojmë që kjo të ndodhë edhe për klasën dhe klimën politike në Kosovë.