Javët që shoqëria po kalon në karantinë për shkak të koronavirusit duhet ta afrojnë më tepër qytetarin me librin. Ky është mendimi i studiuesve shqiptarë të letërsisë, që komentuan situatën e krijuar në studion e emisionit “Java në RTSH”.
Studiuesja Alda Bardhyli tha se qendra që ajo drejton po përpiqet të ëprdorë metodat e reja të komunikimit për të afruar librin te
“Tashmë që kemi më shumë kohë të lirë, mund ta përdorim atë për t’u thelluar tek libri. Për shembull, biblioteka shqipe është pasuruar së tepërmi vitet e fundit me tituj dhe autorë të rinj. Java e karantinës do të sjellë vepra në prozë . Konkursi që ne po zhvillojmë është një sfidë për të parë sesi pasqyrohet dialogu i brendshëm në familje” – tha Bardhyli.
Ndërkohë, pedagogia Persida Asllani u shpreh se ky është momenti i duhur për t’iu kthyer leximit.
“Është momenti për t’iu rikthyer leximit. Momentet që përcjell letërsia dhe arti nuk mund të gjenden askund tjetër. Leximi nuk duhet parë si një sëancë stërvitore, por si një moment joshjeje” – tha Persida Asllani në studion e emisionit “Java në RTSH”, e cila kërkoi që konkurset të zgjerohen edhe në letërsinë për fëmijë, sugjerim ky që u mirëprit nga Bardhyli.
Për studiuesin Gëzim Basha, leximi i sjell zhvillim të paimagjinueshëm shoqërisë pasi është më tepër sesa një terapi.
Ai tha se shumë autorë shqiptarë janë treguar të gatshëm në këtë periudhë që të ofrojnë librat e tyre edhe në formë elektronike. Basha shtoi se letërsia e kujtimeve, apo memuarëvë, është një pasurim i ri në letërsinë shqipe që nuk duhet humbur.
Ai shtoi se poezia e viteve `80 në Shqipëri ka luajtur pikërisht rolin që luan sot media sociale. Por Basha tha se katedrat tona duhet të nxjerrin studentë të aftë për kritikën letrare.
Ndërkohë, për botuesen Arlinda Dudaj, sot është momenti për t’u marrë me librin më shumë se çdo gjë tjetër.
Në studion e “Java në RTSH” Dudaj tha se tregu i librave online në Shqipëri mbetet i vogël, ndaj vendimi që lejon edhe hapjen e librarive duhet përshëndetur.