Divjaka ashtu si çdo vend tjetër është në karantinë për shkak të situatës nga koronavirusi, por disa vizitorë e kanë thyer karantinën. Ata janë flamingot të cilët janë të shpërndarë në lagunën e karavastasë grupe-grupe. Drejtori i Parkut të Divjakës thotë se rreth 2000 flamingo janë në lagunën e Karavastasë të shpërndarë.
“Çdo gjë e keqe mesa duket e ka një të mirë”, izolimi i njerëzve nga COVID-19, duket se ka gjallëruar natyrën. Krahas detit, gjelbërimit dhe bukurisë së karavastasë, Divjakës i janë shtuar edhe vizitorë të rinj. Pas shumë viteve është parë në bregdetin e Divjakës edhe Lejleku i zi, një shpend emigratorë, i cili ka vendosur të shijojë bukuritë dhe kushtet që ofron Divjaka në këtë kohë.Fauna ka shpërthyer si asnjëherë më parë. Ardian Koçi tregon që nga 1981 edhe pelikani kaçurrel nuk ka qenë kaq shumë në numër. Gjatë kësaj periudhe janë rreth 85 çifte pelikanësh të cilët do shtojnë këtë lloj me të vegjlit e tyre. Edhe kolonia e çafkave ka filluar riprodhimin një muaj më parë nga koha e zakonshme.
Pamjet që të ofron Divjaka sot, janë një kompleks ngjyrash, ku t’i humb mes bukurisë së detit, pemëve, lagunës dhe gjallesave që janë vizitorët e vetëm në këtë zonë. Por deri në kalimin e COVID-19 do na duhet të shijojmë vetëm pamjet që kemi siguruar nga Divjaka. Deri sa të mundemi që të shohim nga afër këtë perlë të natyrës.