Nga Tobias Xhaxhiu/
Ndonjëherë është e vështirë, madje paksa e çuditshme të lexosh krijimtarinë e një truri shqiptar të shkruar për së pari në një gjuhë të huaj. Ky proces, më shumë se sa një “lost in translation”, i ngjan një vertigo-je kaotike, ku lexuesit i nevojitet një kohë e caktuar për t’iu përshtatur një regjistri logjik të njohur, por të përkthyer në një tjetër gjuhë. Me gjetjen e çelësit që zbërthen këtë mëdyshje, gjithçka bëhet kaq e lehtë. E kemi fjalën për përmbledhjen me tregime “Four stories of experience” të shkrimtarit shqiptar që vepron në Britani, Ron F. Berisha.
Nëpërmjet veprës së tij, Ron Berisha na ofron një metode për të braktisur përpjekjen tonë të pakuptimtë për “unitet” me vetveten, por duke vijuar megjithatë, betejën për ndërgjegjen tonë.
“A u ndihmuat nga një agjent për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar?” pyeti Sekretaria e Emigracionit. E pyeta atë se ç’është një agjent. Pastaj u ndriçova, madje edhe para shpjegimit zyrtar të gatshëm, se kisha takuar mjaft prej tyre në jetën time.”
Kjo është preambula e tregimit “Manual për të njohur agjentët e tu”, ku që në fjalitë e para ne njihemi me barrierën që i vihet para syve një të huaji kur shkel në një tokë të huaj. Për të dyja palët, në baraspeshë qëndron koncepti universal i së panjohurës. Ky motiv është edhe nyja lidhëse e çdo tregimi, ku absurdi i jetës prej emigranti fiton hera herës nota të tragjikomikes.
Ky libër është një formë unike për të dekriptuar jetën në një vend plot me të papritura, ku dozat e idealizimit dhe zhgënjimitshërbehen të ftohta në të njëjtën pjatë. Personazhet mbajnë emra tipik shqiptarë, ndonëse ngjarjet zhvillohen në vende të ndryshme, dhe kjo zgjedhje finoke ofron një pasqyrë më të prekshme të realitetit të emigracionit, si formë e jetesës. Arketipi i emigrantit vjen i plotë, shoqëruar nga frika për të ardhmen dhe mbijetesën. Gjithashtu, tregimet janë të mbarsura me refleksione nga e shkuara, veçanërisht nga epoka e tranzicioni dhe modeli i emigrantit qe ajo fashë e historisë sonë prodhoi.
Karakteret e tij tundohen nga çudia dhe nuancat e saj ekzotikë, por gjithashtu vuajnë pasojat e kësaj kureshtie, që përplaset në jetët e tyre me forcën e një stuhie që i gjen të papërgatitur. Dyzimi është evident. Po kështu, karakteret duket se sillen brenda një qorrsokaku të pashmangshëm, apo përballen me një hendek kulturor që i bën të ndihen thjesht të pamundur përpara vrazhdësisë së sistemit. Ndonjëherë, të krijohet ideja se ata nuk e kanë të qartë arsyen e largimit të tyre dhe e gjitha merr tonet e një inercie të pakuptimtë e të dalldisur.
Gjuha e përdorur nga Ron Berisha është e thjeshtë, por dhe e goditur në të njëjtën kohë. Personazhet, qartazi meshkuj, kanë diçka nga përhumbja e Mersoit të Kamysë.
Ata jetojnë në dimensionin e absurditetit, ku shfaqet hendeku qe i ndan ata ngaprosperiteti shoqëror, idealet, etj… Jeta dhe ndofta vdekja e tyre e mundshme janë kundërthënie të papajtueshme në raport me strukturën e shoqërisë. Për ta është e vështirë të hamendësohen dëshirat dhe synimet, sepse as bota nuk i pranon të plotë nëqënësinë e tyre. Këtu ngrihet edhe manteli i padukshëm i tëhuajt, që i shoqëron ata si brenda dhe jashtë atdheut. Përmes rrëfimit në vetë të parë dhe dialogëve të shumtë, lexuesi percepton mendësinë e shume personazheve pa nevojën e ekseseve të protagonizmit fals.
Për këto dhe sa thamë më lartë, përmbledhja me tregime “Fourstories of experience, është doemos një ftesë për lexim në këto kohë karantine, të hapura për reflektim dhe zbulim të zërave të rinj në gjuhën shqipe.
Nga Tobias Xhaxhiu