Kina ka raportuar numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus në pothuajse gjashtë javë.
Nga 108 raste të reja të dielën, 98 prej tyre janë importuar – duke rritur shqetësimet se udhëtarët e infektuar mund të nxisin valën e dytë të shpërthimit të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Qyteti kinez, Vuhan – epiqendra e virusit – është rihapur vetëm javën e kaluar, pas 11 javëve në izolim.
Ky shtet ka raportuar edhe për dy vdekje të dielën, duke e rritur numrin e viktimave në 3,341.
Në Kinë janë regjistruar edhe 61 raste të reja, mirëpo meqë kanë qenë pa simptoma, autoritetet kineze nuk i kanë konsideruar raste të konfirmuara.
Sipas të dhënave të Universitetit, Johns Hopkins, koronavirusi i ri ka infektuar mbi 1.8 milion banorë në gjithë botën.
Për sëmundjen fillimisht është raportuar në Kinë, në fund të vitit të kaluar, ndonëse shumë shtete kritikojnë autoritetet kineze se kanë alarmuar botën shumë vonë për situatën me të cilin po përballet tani.