Edhe Jurgen Klopp, si shumë njerëz në mbarë botën, është detyruar të ridizajnojë jetën e tij të përditshme në javët e fundit. Pandemia e “Coronavirus” ka ndaluar botën e futbollit, por trajneri gjerman po i përdor këto ditë izolimi të detyruar për të mësuar gjëra të reja.
Ishte vetë ai, që e zbuloi këtë në një intervistë për kanalet zyrtare të Liverpool-it. Ajo që del në pah është një version më familjar i Klopp: “Gjëja pozitive e kësaj pandemie është se kam kohë për të bërë gjëra të tjera. Tani po bëj punët e shtëpisë, më pëlqen të laj pjatat dhe për herë të parë kam përgatitur vezë të fërguara”.

Izolimi i lejoi teknikut të kampionëve europianë në fuqi që t’i vinte vetes një objektiv të ri: “Në moshën 52 vjeç, unë ende nuk e di se si lidhet kravatë. Duhet ta mësoj javën tjetër, por me siguri do të më marrë ca kohë, sepse jam rrëmujë nga duart. Do të jetë argëtuese”.

Ndër objektivat e tjera, gjithashtu, është mbajtja e formës së arsyeshme sportive: “Përpiqem të vrapoj jashtë dhe ritmi im fizik po përmirësohet dita-ditës”. Në ditë si këto është thelbësore të mbash kontakte me lojtarët tuaj. Klopp ka zbuluar se i aplikon shumë bisedat në grup, duke iu dërguar video djemve të tij, që gjithashtu shërbejnë për të ngritur moralin e tyre: “E fillova me një video të festimeve të Ligës së Kampionëve, pas fitores së finales me Tottenham. Ajo u shfaq në listën time në YouTube, e shikova për tre, ose katër minuta, pastaj e postova në grup me shprehjen: Ende është e vërtetë.

Unë, gjithashtu, postova ndeshjen e kthimit me Barcelonën, atë kundër Manchester City, atë në Leicester dhe me Manchester Unitedin në “Anfield”. Pastaj, ftova lojtarët e mi, që të postonin disa pamje. Ato zgjodhën videot e xhiruara në autobus, gjatë turneut nëpër qytet, pasi fituan Ligën e Kampionëve. Asokohe u argëtuan shumë, ndaj nuk mund të presin të përjetojnë ndjesi të ngjashme”.