Premier League shpreson ta rifillojë sezonin në mes të qershorit (data 8), për ta përfunduar kampionatin deri në fund të korrikut. Kjo është hipoteza, e bërë e ditur sot nga shtypi britanik, e cila fitoi më së shumti mbështetje gjatë takimit të zhvilluar përmes video-konferencës midis 20 klubeve të elitës. Në dritën e trendit të pandemisë së “Coronavirus” në Mbretërinë e Bashkuar, me (të paktën) tri javë të tjera të bllokimit, të vendosur nga “Downing Street”, fillimi i përgatitjes atletike të skuadrave nuk do të jetë i mundur para mesit të majit.
Me shpresë që Covid-19 ta lejojë këtë, skuadrat planifikojnë të kthehen në fushë më 8 qershor. Premier League më pas do të kishte shtatë javë të tjera për të luajtur, ose 92 ndeshje të mbetura, që pritet të zhvillohen pas dyerve të mbyllura të stadiumeve. Një zgjidhje që do ta linte gushtin të lirë për ndeshjet ndërkombëtare të Kupave Euopiane, siç parashikohet nga UEFA, e cila imagjinon të luajë në Stamboll, të shtunën e 29 gushtit, finalen e Ligës së Kampionëve.
Nga ana tjetër, ideja për mbylljen e sezonit deri në fund të qershorit duket se ka rënë poshtë plotësisht. Nga ana tjetër, nëse urgjenca shëndetësore në ishull nuk lejon rinisjen e sezonit në qershor, klubet, gjithashtu, kanë konsideruar pezullimin e të gjitha aktiviteteve deri në tetorin e ardhshëm, gjashtë muaj pas ndeshjes së fundit zyrtare të luajtur në Angli.