Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tregoi në emisionin “Real Story”, në News24, disa nga modelet që kanë studiuar para se të vendosnin të ndërhynin në Kodin Penal për të shtuar dënimin deri në 15 vite burg për të gjithë ata që shkelin masat kundër koronavirusit.
Në një lidhje me “Skype”, deputeti Manja tha të gjitha vendet kanë ndëshkime penale për persona të tillë, që rrezikojnë jetën e qytetarëve, ndërsa renditi të gjitha vendet, modelet e të cilëve janë studiuar, që nga Gjermania, deri në Kosovë.
Më tej, Manja shtoi se “Ne jemi të hapur për të riparë masat e dënimit dhe opozita është e ftuar për propozime. Në finale është momenti që secili të japë kontributin për t’u bërë gardian i jetës përballë kësaj gjëme që na ka rënë përsipër”.
Pyetje: Cili vend perëndimor, qoftë dhe dictatorial, e ka bërë këtë që doni të bëni ju?
Manja: Edhe për modelet që iu jemi referuar, amendamentet janë dorëzuar nga kolegia, që është mjeke. Edhe me këto plotësime që do t’i bëjmë Kodit Penal të jeni i bindur se do jenë në harmoni me legjislacionin evropian, ku ne duam të shkojmë. Jemi të hapur me cdo koment që mund të vijë nga Shoqëria Civile dhe cilido që do të pasurojë këtë nismë, së cilës do i shkojmë deri në fund.
Masat e dënimit variojnë nga gjobë deri në 10 vite burg, kur infektimi me dashje ka cuar deri në vdekje të personit, por medelet që kemi marrë në studim e kanë me masa penale. Janë studiuar modelet e Italisë, Kroacisë, Danimarkës, Spanjës, Gjemarnisë, Belgjikës, Austrisë, Hungarisë, Malit të Zi dhe Kosovës, që i ka bërë këto ndryshime në vitin 2018.