Ndonëse jemi në një periudhë që pandemia Covid-19 është tema e ditës, kryeministri Edi Rama sot ka qenë në Thumanë ku ka inspektuar punimet që po kryhen për rindërtimin e banesave të shembura nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit.

“Deri në fund të vitit të kemi mbaruar të gjitha banesat individuale. Infrastruktura ecën paralel me banesat. Pavarësisht se na doli ky armik po do bëjmë çmos që ta çojmë drejt vitit të ri me sukses. Do punojmë ditë e natë, me 3-4 turne, nuk e di”, ka thënë ndër të tjera Rama nga Thumana duke theksuar se brenda vitit të ri do bëhen banesat individuale.

Më tej kryeministri ka bërë me dije se të gjithë ata që janë në çadra dhe në shtëpi me qera do të kthehen në banesat e tyre, të reja dhe më të mira, por pasi të pasi të fitojmë luftën me Covid-19.

“Të gjithë ata që janë në çadra a në shtëpi me qera, do t’i kthejmë në shtëpia të reja, më të mira, më të forta e më të bukura dhe pasi të fitojmë luftën që na ka zënë derën, do të përmbushim këtë kryedetyrë njerëzore të këtij viti të jashtëzakonshëm, duke zbatuar me çdo kusht porosinë e Zotit të Madh të Shqiptarëve, për t’u kujdesur deri në fund për ata që tërmeti i goditi më fort”, shkruhet në videon e postuar nga Rama.