Të gjithë ligjvënësit bullgarë do t’iu nënshtrohen testeve për koronavirus, pasi një anëtar i Parlamentit të Bullgarisë ka dalë pozitiv ndaj sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e parlamentit, Tsveta Karayancheva. Ligjvënësi që ka dalë pozitiv është Hasan Ademov, tha ajo.
Gjenerali Ventsislav Mutafchiiski, shef i Selisë Qendrore të Operacioneve Kombëtare të Bullgarisë, tha se Ademov është në spital, por nuk dha detaje të tjera.
Parlamenti bullgar, i cili përbëhet prej 240 anëtarësh, ka paralajmëruar mbledhje për buxhetin më 2 prill. Nuk është ende e qartë nëse takimi do të mbahet sipas planifikimeve.
Deri më 31 mars, Bullgaria ka konfirmuar gati 400 raste të të infektuarve me koronavirus dhe tetë vdekje. Bullgaria ka mbyllur shkolla, restorante dhe bare dhe ka kufizuar udhëtimin ndërkombëtar së paku deri më 13 prill, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.