Nga një ekip zviceran i Universitetit të Bernës mund të vijë zgjidhja për emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga koronavirusi.
Në verë një vaksinë do jetë gati për testim, ndoshta në gusht, për tu përdorur më tej në masë të gjerë në popullsi, duke nisur që nga muaji tetor.

Është kjo deklarata e bërë nga Martin Bachmann, profesor i imunologjisë në Universitet, gjatë një konference online me Kombet e Bashkuara.

Bachmann po drejton aktualisht një grup ekspertësh nga universitete të ndryshme zvicerane, për zhvillimin e një vaksine gjenetikisht të sintetizuar, bazuar në grimca të ngjashme me virusin.

Këto vaksina, në përdorim për hepatitin B, funksionojnë duke prishur proteinën që përdor virusi për t’u ngjitur në një qelizë.

“Ne planifikojmë të imunizojmë njerëzit e parë në gusht dhe pastaj të bëjmë një vaksinim të madh në tetor”, deklaroi Bachmann.

Sipas ekspertit, koronavirusi i ri është gjenetikisht i qëndrueshëm dhe ndryshe nga gripi, ka shumë të ngjarë që nuk do të kërkojë më shumë se një vaksinë për një periudhë relativisht të gjatë, shkruan noa.al.

“Strategjia jonë është të kemi imunizimin e të paktën të gjithë popullatës zvicerane brenda gjashtë muajve të ardhshëm dhe pastaj të fillojmë prodhimin e vaksinës për tregun global. Ky është një qëllim ambicioz, por unë garantoj se kemi një shans të mirë”, shtoi ai