Kryeministri Edi Rama është shprehur se edhe ata që janë punësuar në kopshtet private, do të përfitojnë nga ndihmat dhe paketa e qeverisë.
“Nëse bëhet fjalë për kopshtet private dhe për shkurtimin apo mbetje pa punë të atyre që janë në kopshte përfshihen. Patjetër që përfshiheni,”- tha Rama.
Në një deklaratë LIVE në profilin e tij në Facebook, teksa iu përgjigj pyetjeve të shqiptarëve për paketën e dytë që është prezantuar, Rama shpjegoi se lokalet dhe restorantet janë të fundit që do të hapen pas kësaj epidemie të Covid-19.
“Kështu e ka kjo punë, më vjen shumë keq. Ne po përgatisim programin e hapjes dalë ngadalë. Gjithçka do të bëhet në mënyrë strikte dhe sipas punës. Duke parë edhe vendet e tjera, asnjë vend nuk ka folur për hapjet që fillojnë me baret apo restorantet. Janë të fundit që do hapen. Më vjen keq por është e pamundur,”– shtoi kryeministri më tej.
Kryeministri ka sqaruar se nga sot do të ketë një aplikacion të veçantë për të gjithë ata që duan të shkojnë në punë me makinën e tyre.
Pyetje: Kur është orari i lëvizjes së lejuar apo ka ndryshuar?
“Sa herë do të të njoftojmë? Fasha e orarit është zgjeruar sepse kemi bërë një hapje me pikatore në funksion të çlirimit të gjithë asaj shtrëngese dhe kemi përparim falë jush. Edhe për të lehtësuar po bëjmë zgjerimin e fashës orare. Fasha është 05 me 17:30. Sot do t’ju japim aplikim të thjeshtë për të gjithë ata që duan të shkojnë në punë me makinë. Kush ka makinë do të shkojë me makinë në punë, jo për xhiro, siç kemi vënë re se ka ndodhur dje dhe të premten. Duke vënë re këto shenja që na vënë në rrezik këto shenja, do të lejojmë lëvizjen me makinë për në punë“, tha Rama.