Alfred Peza

Ka një përpjekje titanike nga ana e opozitarëve tanë, për të politizuar çdo gjë, edhe të Shqipërisë së sotme nën karantinë. Ndihen aq të ekzaltuar në këtë ndërmarrje, sa duket sikur u është mbushur mendja top, se Covid-19 nuk është një virus që zhduk jetë, por një ilaç që mund të ringjalli projektet e tyre të vdekura politike.

E keni parë besoj Lulzim Bashën sesi e la mënjanë maskën e liderit që dëgjon, për tu shndërruar këto ditë, në politikanin që veç flet. Sali Berishën që përmes “qytetarit digjital”, të mund të sfidojë këdo prej skenaristëve më të mirë të Hollivudit, për synopsis-et e filmave horror. Apo doktorët me diplomë të PD dhe LSI, që bëjnë çdo ditë Betimin e Hipokritit nëpër media dhe rrjetet sociale, për të hedhur sa më shumë benzninë në një zjarr që i ka shkarpat e lagura.

Qëllimet janë fare të qarta. Po tentojnë me çdo mjet e çmim, që të nxisin mëri, pakënaqësi, mllef e përçarje mes qytetarëve dhe qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.

Nga ana tjetër, çdo masë, çdo ide, çdo program, platformë dhe propozim që bëjnë e kanë të orientuar drejt skenareve fantaekonomikë. Me synimin e qartë final, për të shkatërruar në fund, arkën e shtetit. Duke dashur që të nxisin përmes këtyre skenareve, trazira dhe rrëmuja, si në të shkuarën e tranzicionit të dhimbshëm shqiptar.

Si “Gozhdën e Nastradinit” për të varur xhaketën e planit të tyre, kanë gjetur testet. Duke nxitur në çdo fjali që thonë, e në çdo prononcim që bëjnë veç shtimin e pafund të testeve,- përkundër sygjerimit të ekspertëve të fushës,- mundësisht për të gjithë banorët e Republikës. Nuk është se kanë ndonjë merak real për këtë, kjo dihet. Mjafton të rikujtoni përgjigjen e kryetarit të opozitës, kur u pyet se përse edhe ai vetë, nuk i është nënshtruar testit të koronavisurit!

Ndërsa si vendin për ta ngulur “gozhdën” e tyre, liderët e opozitës sonë, kanë kohë që ia kanë vënë syrin Shkodrës. Duke e patur bastionin e tyre politik, ashtu si edhe në të shkuarën, ndoshta besojnë se mund të nxjerrin sërisht gështenja për orekset e tyre politike, me “duart” e banorët e kryeqendrës së veriut të Shqipërisë.

Si të mos u mjaftonte që deri vonë dogjën shkolla, e shkatërruan institucione të tjera të rëndësishme për lojërat e tyre politike të 30 qershorit 2019 në Shkodër, po vazhdojnë ti bien të njëjtës gozhdë. Duke nxitur direkt ose indirekt qytetarët e saj, që të mos i zbatojnë masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, për pandeminë globale.

Ndaj u bëjnë thirrje hapur që ti rebelohen masave të vetkarantinimit të detyrueshëm dhe ruajtjes së distancës sociale, si e vetmja “vaksinë” që po përdor sot çdo qeveri e shteteve të planetit, për të mbrojtur qytetarët e vet nga koronavirusi vrastar. Por shkodranët me siguri ua kanë bërë gati këngën, politikanëve të tillë, duke u kujtuar atyre të famshmen: “Merrni darët shpejt o trima, hoqëm gozhdën mbeti vrima”.

Aq shumë e prekshme ka qenë kjo përpjekje në kampin opozitar me sa duket, sa ka detyruar edhe kryediplomaten amerikane në Tiranë Yuri Kim, që të zhvillojë biseda telefonike me Lulzim Bashën dhe Ilir Metës, përveçse me Kryeministrin. Duke dhënë mesazhin se kjo situatë përballohet përmes qëndrimeve të unifikuara politike.

“Tani nuk është koha për (të bërë) politikë si zakonisht. Nuk mund të fitohet lufta pa unitet dhe disiplinë nga të gjithë liderët dhe të gjithë njerëzit, nga SHKODRA në Sarandë”,- ka thënë ajo duke mos harruar që të përsërisë se: “E rëndësishme për të gjithë (është) që të vazhdojnë të rrinë në shtëpi”.

Kaq mjafton për të kuptuar se Covid-19 nuk është emri i ndonjë ilaçi që shëron të dëshpëruarit politikë, nga varësia e tyre prej pushtetit. Por, ajo është sëmundja vdekjeprurëse, që shkakton virusi korona, e cila po i mer jetën pamëshirshëm dhjetra mijëra njerëzve anekënd globit.

Përballë saj, të gjithë jemi të barabartë dhe për të fituar mbi të, duhet të jemi të gjithë bashkë në një front. Pasi të mbarojë kjo luftë, e sigurtë është se shqiptarët, do të dinë që ti vendosin notën e duhur me votë, si atyre që u kujdesën realisht për jetët e tyre, ashtu edhe atyre që luajtën me to, për interesat e tyre personale politike.