Përhapja e koronavirusit të ri mund të ndodhë edhe përmes ajrit dhe jo vetëm kontaktit. Studime konkrete për ta vërtetuar këtë mungojnë, por të dhënat shkencore sugjerojnë se virusi mund të qëndrojë në ajër më shumë nga ç’mendohej.
Si provë për këtë po shërbejnë edhe të dhënat e infektimit mes stafit sanitar nëpër spitale. Mendohet se në sallat e reanimacionit , falë frymës s+ lëshuar nga makineritë, e jo asaj normale, ajri mund të mbetet i infektuar për disa orë.
Pa masat e duhura mbrojtëse mjekët dhe infermierët janë tejet të rrezikuar. Kjo po detyron OBSH të rishikojë udhëzimet për mbrojtjen ndaj COVID-19, siç bëri me dije përfaqësuesi i organizatës David Heymann për BBC. “Po studiojmë me vëmendje gjetjet e reja shkencore”, tha ai.
Deri më tani OBSH ka qenë kundër përdorimit të maskave nga të gjithë, në një përpjekje për t’i kursyer ato për stafin shëndetësor. Por me të dhënat e reja që sugjerojnë qëndrimin e virusit në ajër situata ndryshon dhe maskat mund të jenë një armë më shumë për të frenuar pandeminë.
Megjithatë në një pikë të gjithë shkencëtarët bien dakord; ruajtja e distancës me 1 metër është mënyra më e mirë për të shmangur infektimin.