Kroacia lehtësoi paksa kufizimet kundër pandemisë Covid-19 përpara Pashkëve, por drejtuesit e kombit katolik paralajmëruan se festa duhet të organizohet e sigurt dhe vetëm në shtëpi.
“Për këtë festë është e rëndësishme më shumë se kurrë të qëndroni në shtëpi”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Vili Beros pas një mbledhjeje të kabinetit.
“Duhet të veprojmë tani për një të ardhme më të shëndetshme”, shtoi ai.
Në fillim të kësaj jave qeveria lejoi hapjen e dyqaneve me orar më të zgjatur dhe rihapi disa tregje.
Kjo shkaktoi shqetësim mes ekspertëve për shkak se qytetarët mund ta marrin këtë si një hap për të festuar.
Duke theksuar se masat kryesore janë ende në fuqi, Ministria e Jashtme i bëri thirrje personave që jetojnë jashtë vendit të mos udhëtojnë në shtëpi për pushime dhe paralajmëruan se nëse e bëjnë, duhet të qëndrojnë në izolim dyjavor.