Kthimi i fasonerive në Krujë në një vatër të re të rrezikshme për përhapjen e COVID-19, ka bërë që inspektimet të intensifikohen edhe më shumë në këto biznese që kanë grumbullime të mëdha të njerëzve. Kryeinspektorja e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho ka inspektuar një fasoneri në Vlorë, ku ajo që vihet re janë plotësimi i të gjitha kushteve për të mbrojtur punonjësit nga rreziku i koronavirusit.

Braho e shoqëruar nga Inspektori rajonal Vlorë, Lorenc Rexho, tha se janë kryer gjithsej 672 inspektime vetëm për fasoneritë nga 762 fasoneri që janë në gjithë Shqipërinë, ku 14 prej tyre janë mbyllur.

“Sot erdhën për të inspektuar një nga fasoneritë e Vlorës dhe për të parë kushtet higjieno-sanitare dhe janë respektuar të gjitha parametrat që në momentin e hyrjes ku bëhet dezinfektimi i automjeteve, dezinfektimi i duarve, i punonjësve në hyrje dhe çdokush prej tyre kishte maskë e doreza. Të gjitha masat ishin korrekte. Janë bërë 672 inspektime vetëm për fasoneritë nga 762 fasoneri që janë në gjithë Shqipërinë. Fasoneritë dhe call center do të jenë në vëmendjen tonë. Aktualisht janë mbyllur 14 fasoneri, 1 në Vlorë, 4 në Gjirokastër, 2 në Tiranë, 6 në Krujë dhe 21 fasonerive u është vendosur masë administrative për mosrespektim të protokolleve të sigurisë”, tha Braho.

Në lidhje me rastet e fasonerive në Krujë, ku punonjës dolën të infektuar, Braho tha se para konfirmimit të rasteve atje janë bërë inspektime në disa fasoneri pa specifikuar nëse janë bërë edhe në ato ku u konfirmuan rastet pozitive. “Ne bëjmë inspektime për kushtet higjieno-sanitare dhe kemi vendosur 6 masa administrativeve në Krujë dhe një është mbyllur pa dalë ende asnjë punonjës me covid. Mbyllja erdhi pasi dolën rastet pasi është detyrim ligjor, por nuk do të thotë se aty nuk janë kryer inspektime.

Në fasonerinë në Vlorë respektoheshin rregullat ku makinat dezinfektoheshin që kur hynin në ambientin e punës, si dhe në hyrje ishte vendosur një tunel dezinfektimi për të gjithë punonjësit. Gjatë inspektimit punonjësit ishin të pajisur me maska, doreza dhe dezinfektues duarsh në tavolinat e tyre.