Nga Artur Ajazi
Dy ditë më parë, rastësisht dëgjova një zë, në një prej emisioneve televizive, ti thoshte kryeministrit se “nga eksperienca që di unë, kush del fitues nga kriza (në rastin tonë nga lufta) nuk fiton pushtetin”, dhe përgjigja nuk vonoi natyrisht. Por dua të sqaroj diçka, që lidhet me historinë por edhe me filozofinë e mendimit dhe ndryshimit, që ndodh gjithmonë kur mbaron lufta. Në dijeninë e vërtetësive të dokumentuara historike, asnjëherë nuk ka ndodhur, që kush ka fituar luftën, ka humbur pushtetin. Kush fiton luftën, fiton edhe pushtetin. Dhe kjo ka ndodhur përgjatë gjithë historisë njerësore, apo duke u afruar më tej, edhe pas luftës së Dytë Botërore.
Pushtetin e fituan ata që organizuan, bënë dhe fituan luftën, pushtetin e fituan ata që ngulmuan dhe ditën ta organizojnë luftën në kushtet e asaj kohe, dhe jo ata që penguan, sabotuan, dhe u bënë një trup me armikun. Pushtetin e fiton gjithnjë fituesi, që me durim, vetmohim, angazhim, qetësi dhe largpamësi, organizon dhe drejton deri në pikën e fundit, shtresat e popullsisë drejt fitores mbi të keqen. Kjo është vërtetësia historike, por ky është dhe realiteti i sotëm. Në Shqipëri, Edi Rama, kishte fatin e mirë apo të keq, të kishte mbi shpatullat e tij, beteja të shumta qysh pas marrjes së pushtetit në 2013, dhe ja ka dalë. Ai sërish ka mbi shpatulla e tij të tjera beteja , që lidhen me përballimin e pasojave të tërmetit të tmerrshëm siç ishte ai i 26 Nëntorit 2019, që ndodh njëherë në 100 vjet, dhe së fundi beteja e ashpër me COVID-19.
Një armik i padukshëm, por shumë potencial, (gjithashtu një rrezik botëror) ka mbi 2 muaj që ka trokitur në dyert e Shqipërisë, dhe kërcënon seriozisht jetët e shqiptarëve, nga ku padyshim mbetet detyrë e kësaj qeverie, dhe e këtij kryeministri ta mundin, dhe të dalin fitues. Shanset dhe eksperienca e deritanishme, flasin për një rrugë të drejtë, dhe një stradegji të mirëstudiuar profesionistësh, prej të cilës shqiptarët kanë mundur të dalin me humbje të minimizuara. Kjo padyshim falë një komandanti të zotë, që di të angazhojë dhe drejtojë shtabin dhe “ushtrinë” e tij, dhe jo atyre që COVID-19, e kanë parë dhe mirëpritur si “aleat” në rrugën e tyre të stërmundimshme drejt pushtetit imagjinar. Duke propoganduar dhe përhapur teori të kopjuara nga mëndjet injorante, “aleatët” e armikut, nuk mungojnë të ripërsërisin kërkesa histerike, për “rrëzimin e qeverisë, largimin e Ramës, dhe marrjen e pushtetit”, me pretendimin se “ata largojnë virusin, ata shpëtojnë shqiptarët nga diktatura”. Ata që u bënë me “armikun” qysh ditët e para të ardhjes së tij në Shqipëri, nuk mungojnë të hedhin idenë se “ai që fiton luftën nuk merr kurrë pushtetin”, duke harruar diçka shumë thelbësore.
E para, Edi Rama nuk e ka nisur këtë betejë me mendimin se mund ta humbë, por është i bindur se do ta fitojë atë, dhe e dyta, mendoj se ai kurrë nuk ka dashur, dhe nuk do të donte të ishte kryeministër asnjë ditë të vetme, (siç e ka deklaruar edhe vetë) në rast se dikush nga “aleatët” e armikut COVID-19, do të dilte dhe ti deklaronte se “armikun e largojmë ne, ja plani, ja stradegjia”. Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka se si të ndodhë, sepse askush nga “aleatët” e armikut COVID-19, nuk ka këllqe të fitojë beteja të tilla, sepse pushteti sipas tyre “është rrotacion me allishverish”.
Kush fiton betejën, kush fiton luftën, fiton edhe pushtetin, ndaj mos ushqeni me oksigjen mendime dhe ide , të një linje të vdekur, që në situatën e postvirusit, do tu duket idiotësi dhe utopi, dhe asgjë tjetër.