Një tërmet shumë i fortë që mund të shkaktojë tsunami do të godasë së shpejti bregun lindor të Japonisë. Ky është paralajmërimi i ekspertëve të shtetit aziatik, të cilët kanë analizuar tokën për të bërë një parashikim të tillë.
Kërkuesit shkencorë japonezë zbuluan se një tsunami i madh ka goditur Japoninë çdo 300-400 vjet dhe i fundit ka ndodhur në shekullin XVII, që do të thotë se një tsunami tjetër pritet gjatë këtij shekulli, por, sipas tyre, është e pamundur të thuhet me saktësi se kur do të ndodhë.Një tsunami të madh shkaktojnë tërmete të magnitudës 9 dhe nëse do të ndihen lëkundje të tilla kaq të forta, më i godituri do të jetë ishulli i Hokaido, si dhe pjesa veriore e Honshu.
Sizmologu Kenji Satake, i cili udhëhoqi studimin, tha se barrierat fizike nuk do të bënin punë ndaj dallgës që mund të arrijë një lartësi prej 30 metrash dhe e vetmja mënyrë mbrojtjeje do të ishte arratisja. Sipas llogarive të ekspertëve, autoritetet do të kenë rreth gjysmë ore kohë mes lëkundjes së fortë dhe goditjes së dallgës që të evakuojnë njerëzit.
Një tërmet i magnitudës 9 goditi Japoninë në vitin 2011, duke shkaktuar 15 000 viktima. Ai është tërmeti më i fortë i regjistruar ndonjëherë në Japoni dhe i katërti më i fortë në botë, që kur nisën regjistrimet e tërmeteve në vitin 1900. Gjithashtu, është tërmeti që ka shkaktuar më shumë dëme financiare në histori, me 235 miliardë dollarë.
Por, sipas “Japan Times”, ekspertët kanë analizuar tokën në një zonë tjetër, që nuk është goditur dekadat e fundit nga tërmeti, dhe për këtë arsye autoritetet po përgatiten për një tërmet të ri shkatërrimtar.