Gjermania jep dritën jeshile për testimin klinik të një vaksine të mundshme kundër COVID-19. Instituti Federal Gjerman për Vaksinat tha se në fazën fillestare të testimit, 200 persona të shëndetshëm midis moshës 18 dhe 55 vjeç do të marrin doza të ndryshme, ndërsa në fazën e dytë do të përqëndrohen tek individët me rrezik më të lartë.
Ndërmarrja me bazë në Mainz, Biontech, është ajo që ka zhvilluar vaksinën. Instituti tha se ky është kandidati i katërt për vaksinën kundër koronavirusit në botë që mori miratimin për të nisur me testimin.
Ai shtoi se vendimi ishte “rezultat i një vlerësimi të kujdesshëm të profilit të rrezikut dhe përfitimit të mundshëm të vaksinës kandidate”.Këtë gjë e konfirmon edhe Ambasada Gjermane në Tiranë, e cila nëpërmjet një statusi në rrjete sociale shkruan:
“Së bashku kundër Corona Virusit në Gjermani miratohet testimi i parë klinik i një vaksine kundër COVID-19. Testimi i vaksinës tek njerëzit është një etapë e rëndësishme në rrugën drejt një vaksine të sigurtë dhe efektive kundër COVID-19. Do të duhen edhe disa muaj në daljen e një vaksine, por shkencëtaret/ët gjermanë dhe ndërkombëtarë po punojnë me përparësi të lartë për këtë!”.
Gjermania nis me testimin e vaksinës kundër Covid-19 tek njerëzit. Biontech tha se po zhvillonte vaksinën kandidate, të quajtur BNT162, së bashku me gjigantin farmak Pfizer. Testimet klinike janë caktuar gjithashtu të kryhen në SHBA pasi të jetë aprovuar miratimi për testimin njerëzor atje./ Burimi DW