Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një komunikimi me kryebashkiakët e zonave të gjelbra, të premten, u ka bërë thirrje atyre të përdorin çdo mjet komunikimi lokal dhe jo vetëm për të ndërgjegjësuar dhe bashkëpunuar me qytetarët që të zbatohen rregullat e sigurisë për të mënjanuar përhapjen e pandemisë COVID-19.
Ministri i Brendshëm, Lleshaj tha se fokusi i policisë do jetë monitorimi i zonave të gjelbra.
“Fokusi i Policisë do jetë ruajtja e perimetrit të zonave të gjelbërta. Ky është thelbi i fokusit të punës sonë. Ajo që do iu kërkoja kryetarëve të bashkive është që të përdorin çdo element për bashkëpunimin e publikut, çdo element komunikimi lokal dhe jo vetëm për të ndërgjegjësuar publikun se sa i rëndësishëm është zbatimi i masave të sigurisë”,- tha ministri Lleshaj.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot zonat e gjelbra ku nga e hëna, 27 prill, do të ketë një lehtësim të posaçëm të lëvizjes, por me rregulla strikte për lëvizjen.