Pavarësisht se pezullimi i aktiviteteve për shkak të emergjencës shëndetësore do të vazhdojë edhe për disa javë, ligat e mëdha evropiane po projektojnë rikthimin në fushë. E para që ka nisur përgatitjet është Bundesliga.
Skuadrat gjermane janë kthyer në stërvitje, me lojtarët që punojnë në grupe të vogla, duke respektuar rregullat e distancës sociale. Kampionati është parashikuar të nisë në fillim të muajit maj, pa publik dhe me pak njerëz të pranishëm.
Në total, në çdo ndeshje do të jenë 239 persona. Më tepër se gjysma e tyre janë futbollistët, stafet teknike dhe mjekësore, si edhe punonjësit e televizioneve dhe fëmijët që kapin topat.
Pjesa tjetër, 113 persona të cilët do të qëndrojnë në tribunë janë pak drejtues të klubeve, gazetarë dhe personel i reduktuar i sigurisë.
Në Spanjë dhe Angli parashikojnë që kampionatet të nisin në fillimin e muajit qershor.
Ndeshjet e Premier League do të luhen me dyer të mbyllura dhe kalendari do të ngjishet, për të bërë të mundur që edicioni të mbyllet në afate të pranueshme dhe të lihet kohë merkatos së transferimeve.
La Liga pretendon se mund të rikthehet në fushë, më 29 maj ose të paktën më 6 qershor. Edhe pse Spanja është një prej vendeve më të prekura nga koronavirusi, drejtuesit iberikë të futbollit nuk ngurojnë të japin datat e përafërta, për të mbyllur sezonin. Objektivi është që verdiktet në fushë të dalin deri në muajin gusht.
Më të rezervuar në Itali, me zyrtarët e Serie A që nuk japin data të përafërta, por saktësuan se nëse do të jetë e nevojshme, kampionati mund të luhet deri në fund të vjeshtës. Gjithsesi, më parë pritet sido të vijojë emergjenca shëndetësorë gjatë muajit prill.