Gazeta italiane Calciomercato, e cituar edhe nga mediat e mëdha britanike, raporton se Liverpooli po i kërkon 16 deri në 18 milionë funte për shitjen e Xherdan Shaqirit në fund të këtij sezoni, kur të hapet afati kalimtar.
Gjatë dy vjetëve në Anfield, anësori nga Gjilani nuk ia ka dalë të zërë vendin e titullarin në skuadrën e Jurgen Klopp, përderisa si ka luajtur vetëm 256 minuta futboll këtë sezon, raporton Gazeta Express.
Para se ky sezon të pezullohej përkohësisht për shkak të koronavirusit, Shaqiri hasi në vështirësi të mëdha shkaku i lëndimeve të njëpasnjëshme. 28-vjeçari i ka bërë vetëm dy paraqitje si titullar për skuadrën e Kloppit këtë sezon.
Ai gjithashtu ka luajtur disa minuta lojë në Ligën e Kampionëve, mirëpo së fundi u raportua se Liverpooli i ka kërkuar Shaqirit ta gjejë një klub të ri për t’u transferuar sapo të hapet afati kalimtar i verës.
Sipas të përditshmes spanjolle Sport, Liverpooli po i kërkonte 30 milionë euro për Shaqirin, përderisa një numër i klubeve janë të interesuara për t’ia ofruar futbollistët një sfidë të re në karrierën e tij.
Gazeta spanjolle sugjeron se Secilla, Roma dhe CSKA Moska janë të gjitha të interesuara për Shaqirin, mirëpo thekson se Sevilla shpreson që Liverpooli do ta ulë çmimin kërkues për shitjen e futbollistit. E kjo gjë tani duket se është bërë realitet, pasi që tani raportohet se Liverpooli e ka ulur çmimin e Shaqirit në 16 deri në 18 milionë funte.
Shaqirit i kanë mbetur edhe tre vjet në kontratën e tij në Anfield dhe kjo bën që Liverpooli të jetë në pozitë të mirë gjatë negociatave për shitjen e tij, përkundër që edhe vetë klubi e do largimin e tij.