Ish-portieri i Manchester Unitedit, Mark Bosnich, beson se Liverpoolit duhet t’i jepet titulli i kampionit i Premierligës për këtë sezon nëse Federata e Futbollit e Anglisë vendos ta përfundojë para kohe kampionatin. Skuadra e Jurgen Kloppit, që radhitet me 25 pikë në krye tabelës së Premierligës, është vetëm dy fitore larg shpalljes kampione e Anglisë, trofe ky që i ka munguar Liverpoolit në tri dekadat e fundit, transmeton Gazeta Express.
Përkundër që Liverpooli e ka krijuar këtë dallim të madh me kundërshtaret në Premierligë, djemtë e Klopp nuk e kanë të sigurt marrjen e një trofeu në fund, për shkak të dyshimeve të shtuara se a do të mundë të përfundohet sezoni aktual shkaku i krizës së koronavirusit.
Premierliga ka vendosur që ta pezullojë përkohësisht ligën pa caktuar datë kthimi, duke shtuar kështu dyshimet se ka mundësi të anulohet sezoni dhe të mbetet Liverpooli pa titull.
Ky pretendim është bërë edhe më i fuqishëm pasi që liga e nivelit të parë të futbollit në Belgjikë, Jupiler Pro League, ka vendosur ta përfundojë sezonin para kohe. Në Belgjikë i është dhënë titulli i kampionit liderit aktual dhe ish-rivali i Liverpoolit, Bosnich, beson se edhe Anglia duhet ta ndjekë këtë shembull.
“Atyre duhet t’u jepet titulli. Mund të ketë ndonjë rregull diku në librat e Premierligës që sugjeron se atyre nuk duhet t’u jepet titullli, por unë mendoj se gjëja e vetme e drejtë për ta bërë është t’ia japim atyre titullin”, ka thënë Bosnich.
“Le të jemi të gjithë të sinqertë, askush s’do të mundë t’i arrinte ata në tabelë po të kishte vazhduar liga”.