Prokuroria e Tiranës në kuadër të masave ndaj COVID-19 ka vendosur në hyrje të saj tunelin dezinfektues.

Të gjitha institucionet në vend kanë marrë masa për të mënjanuar përhapjen e COVID 19, një ndër to është edhe tuneli dezinfektues, i cili fillimisht u vendos në hyrje të tregjeve ushqimore në Tiranë dhe Shkodër. Më tej, tuneli dezinfektues u vendos edhe në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe atë të Tiranës, teksa tashmë, Prokuroria e Tiranës ka zgjedhur të vendosur një të tillë në hyrje të institucionit hetimor.

Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell foto nga hyrja e institucionit të Prokurorisë së Tiranës, ku tashmë është vendosur tuneli dezinfektues dhe të gjithë duhet të kalojnë përmes tij si masë parandaluese ndaj COVID-19 dhe në zbatim të protokolleve të sigurisë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Ky vendim vjen edhe pas përhapjes së COVID-19 në një institucion të vuajtjes së dënimit penal në kryeqytet, ku prokurorët dhe avokatët janë të detyruar ta vizitojnë për shkak të detyrës që i ngarkon ligji. Vetëm sot në një prej institucioneve të vuajtjes së dënimit penal në Tiranë janë identifikuar 13 raste me COVID-19.