Kryeministri Edi Rama, ka bërë me dije të martën se janë mbi 31 000 persona që deri më sot kanë përfituar nga paketa e parë e ndihmës ekonomike, ndërsa deri në fund do të jenë rreth 40 000 përfitues të tjerë, teksa lajmëroi se nga paketa e dytë ekonomike do t’u vihet në ndihmë rreth 120 000 personave.
Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi me qytetarët, sot, është shprehur se ata që janë refuzuar në paketën e parë të ndihmës ekonomike, do të përfitojnë nga paketa e dytë ekonomike.
“Do të merrni 40 000 mijë lekë me paketën e re. Nuk kemi refuzuar ne asnjë që ka të drejtën të marrë pagën nga paketa e parë. Të gjitha refuzimet janë për ata që nuk janë në atë kategori, por nuk përfshihen”,- tha Rama.
“Nuk është refuzimi i dhimbjes, është thjesht aplikimi në dritaren e gabuar. Ka qenë shumë e qartë, se cilat janë bizneset e vogla, që do të marrin pjesë në fondin e paketës së parë. Ndërsa ti, do të marrësh 40 000 lekë nga paketa e dytë. Ndërkohë nga paketa e parë, sot para se të vija këtu, shifra e fundit është 31 000 përfitues, kemi dhe 40 000 mijë të tjera për të dhënë”,- tha Rama.
“Nëse pyesni pse vonohet përgjigja, ju them se bëhen verifikime edhe në terren dhe u kalon paga, siç e kemi premtuar. Siç e kanë marrë 30 000 apo 31 000 përfitues deri më sot dhe do ta marrin të tjerët, që janë pjesë e kësaj pakete. Paratë janë në thesar, por presin vetëm vulën e qeverisë. Ndërsa 120 000 të tjerë do të marrin 40 000 leke për këtë periudhë të mbetur deri në fund të majit, ku kam besim se do kemi dhe rifillim të punës të shumë prej atyre që nuk janë sot në punë. Nuk keni as kafe, as bare, as qendra argëtimi, duhet të rrini vetëm në shtëpi dhe prandaj është mëse e mjaftueshme për të kaluar pa stresin maksimal këtë fazë”,- tha Rama.