Një raport i botuar së fundmi i detajuar tregon se pacientja e pare me koronavirus në Itali kishte gjurmë të dukshme të virusit në sytë e saj dhe kjo është një faktor i rëndësishëm që tregon se Covid-19 përhapet më së shumti nga sytë. Pacientja, një grua 65-vjecare udhëtoi nga Wuhan, Kinë, nga origjina e shpërthimit, në Itali më 23 janar.
Ajo shkoi në spital më 29 janar, një ditë pasi iu shfaqën simptomat e koronavirusit të ri, siç është kolla, dhimbja e fytit, hundë të bllokuara dhe konjuktivi në të dy sytë. Mjekët morën provëza të lëngut nga sytë e saj në ditën e tretë të pranimit në spital dhe zbuluan se ajo kishte grimca infektive të dukshme në sytë e saj.
Sytë e saj ishin vazhdimisht të lëngshëm gjatë kohëzgjatjes së qëndrimit në spital dhe deri në ditën e 20, konjunktiviti i pacientit ishte pastruar, por gjurmët e materialit gjenetik nga koronavirusi u gjetën ende në sytë e saj deri në ditën e 21. Për rreth pesë ditë nuk ishte zbuluar deri sa u shfaq përsëri në ditën e 27, disa ditë pasi në hundë nuk gjendeshin pjesë të virusit.
“Covid-19 u zbulua tek sytë e pacientes edhe pasi ato ishin larguar nga hunda e saj dhe ajo ishte shëruar,” shkruajnë studiuesit në raportin e botuar në revistën Annals of Medicine.
Studiuesit kryen teste shtesë dhe përcaktuan se virusi në sytë e saj ishte duke u përsëritur, domethënë sytë e saj ishin përhapës të virusit.
“Ne zbuluam që lëngjet okulare nga pacientët e infektuar SARS-CoV-2 , mund të përmbajnë virusin infektiv dhe kështu mund të jenë një burim i mundshëm i infeksionit. Këto gjetje nxjerrin në pah rëndësinë e masave të kontrollit, siç është shmangia e prekjes së hundës, gojës dhe syve dhe larja e shpeshtë e duarve, ”shkruajnë studiuesit.
Aaron Glatt, profesor dhe kryetar i departamentit të mjekësisë në spitalin Mount Sinai South Nassau,në Nju Jork, tha për mediat amerikane se konjunktiviti viral është jashtëzakonisht ngjitës, kështu që nuk është për t’u habitur që koronavirusi mund të gjendej në sy.
Glatt tregoi se gjetjet e studimit mund të ndikojnë në shëndetin publik, por tha se do të nevojiten më shumë hulumtime për të përcaktuar se sa ndikon kjo çështje. (Washington Post)