Nga Ergisa Bejkollari/

A ka jetë përtej një fotografie me dritë të mirë dhe një Giveaway?

Qysh prej ditës së parë e deri më tani, nuk ka patur një ditë që të jem mërzitur në shtëpi. Pa dashur t’u hyj reflektimeve që ndonjëherë kthehen në patetizma, ajo që dua të them është se kjo periudhë ka qenë vërtet një periudhë kur kam vëzhguar dhe analizuar sesi ka ndikuar kjo situatë në disa nga fenomenet më të rëndësishme që lindën nga brezi im: blogerët/et dhe ndikuesit/et. Janë të dyja fenomene që nuk mund të anashkalohen. Janë bërë pjesë e strategjive marketuese të çdo marke. Kanë ekzistuar prej kohësh. Por, një ditë dikush vendosi ta bënte nga hiçi dhe që prej atëherë nuk po ndalen. Çdo ditë një ndikues i ri nxjerr kokën në sipërfaqen e pëlqimeve dhe komenteve, por fatkeqësisht, duke mos sjellë asnjë vlerë të shtuar.

Në perceptimin tim, ka dy kategori ndikuesish: ata që e kanë mjet dhe ata që e kanë qëllim. Flluska mbushet me këta të dytët. Në fakt, vitet e fundit, kur edhe tregu është mbingopur (lexo këtu), është parashikuar se “ekonomia e ndikuesve” është thjesht një flluskë që do shpërthejë shpejt. Prej kohësh, ky proces ka nisur. Pronarë restorantesh, hotelesh e biznesesh rrëfejnë histori sesi kanë nisur të refuzojnë bashkëpunimet me ndikuesit. (Lexo këtu)

Megjithatë, pandemia e shkaktuar nga CoVid-19 mund të përkeqësojë vërtet situatën për ta. Kjo lidhet me dy arsye kryesore:

1.Shkurtimin e buxheteve (parashikohet që ekonomia botërore të kalojë një recesion edhe më të vështirë se ai i fund viteve ’20. Lexo këtu se më hëngre).

2.Mungesa e kreativitetit në kushte shtëpie. Është e thjeshtë të bësh foto të bukura kur mund të shkosh nga një lokal në tjetrin dhe nga mali në det e kështu më rradhë. Unë do shtjelloj këtë arsye sepse këtu ndihem rehat dhe më e përgatitur.

Pra, çfarë bën një djalë/ vajzë kur mbarojnë muret ku mund të bëjë foto? Apo kur mbarojnë fotot thrubek? A ka jetë përtej një fotografie me dritë të mirë dhe një shorteu dhuratash (thënë ndryshe giveaway siç e do terminologjia e internetit?

Nejse.

Do mundohem ta shpjegoj atë që kam kuptuar në formën e Ciklit të Jetës së një produkti. Pavarësisht që ne, “studentët e ekonomikut”, e kemi mësuar në kontekstin e biznesit, ky cikël mund të zbatohet thuajse kudo, me pak përshtatje. (Faleminderit profesor Arjani dhe profesor Myrdaimi. Nuk besoj se do ndiheni krenarë që po e përdor ciklin për të shpjeguar jetën e ndikuesve, por ja që puna e deshi).

Lindja

Këto janë 9 ditët e para. Kur jeta në karantinë duket e bukur, pse jo?! Palosen rrobat që janë lënë në krevat prej vitesh dhe kjo ilustrohet me një video për të gjithë ata që nuk dinë të palosin rroba. Ripostohen në Instagram fraza e foto për të qeshur që janë marrë nga të tjerët dhe që kërkojnë pak përpjekje për t’u shkruajtur.

Rritja

Këto janë ditët më produktive.

Java e dytë dhe e tretë. Mësohet realizimi i ndërlikuar i kafes turke. Sigurisht, që edhe ky proces ndahet me miqtë në Instagram për t’u treguar atyre që një ndikues mund të bëjë njëkohësisht dhe një jetë të thjeshtë, jashtë dritave të kamerave. Realizohen disa video ilustruese sa i përket make up-it dhe disa të tjera sa i përket kombinimeve të rrobave. Nuk dihet kur do vishen këto rroba, por pak rëndësi ka. Një ndikues/e e ka për detyrë të na tregojë sesi të veshim bluzën e bardhë në 345 mënyra të ndryshme.

Maturimi.

Java e katërt. Videot u bënë. Po ashtu dhe keku. Në asnjërën prej të dyjave nuk është ekspert, por sërish çfarë rëndësie ka kjo? Tani ka mbetur Tik-Tok, një kënd për të bërë foto dhe asnjë mendim për t’u ndarë me ndjekësit. U ndanë të gjitha në tre javët e para. Të gjitha mendimet e 20 e ca viteve jetë, u ezauruan në tre javë.

Rënia (ose Dekadenca për ta bërë të duket tërheqës këtë proces të dhimbshëm)

Nis të dalë në pah aftësia për të mbijetuar. Duhet sugjeruar një dokumentar, një serial, një film, ose një libër. Ndjekësit u lodhën nga fotot dhe videot “pau pau” në Tik Tok. Dhe, fatmirësisht, kësaj faze i mbijetojnë ata që kanë lexuar, mësuar, përjetuar diçka më tepër sesa jeta në Instagram. Ata/ ato që kanë një sens humori të kultivuar jo nga faqet e meme-ve, por nga aftësia për të përpunuar e lezetuar informacionet që marrin. Kjo është një aftësi që teksa bën foto me dritë të mirë, zbehet ngadalë. Duhet ta mbash trurin “në karikim” që të mbijetosh në kohë karantine. Ata që mbijetojnë janë ata që gjenden në rrjete sociale për një qëllim tjetër dhe për të cilët numri i ndjekësve është thjesht mjeti për të arritur këtë qëllim. Qëllimi mund të jetë të japësh informacione shkoqur sa i përket teknologjisë, politikës, artit, ekonomisë, qendistarisë apo çdo gjëje tjetër që sjell vlerë reale në jetën e atyre që të ndjekin.

Përfundimi i kësaj analize, ndoshta aspak të nevojshme për t’u bërë, është se vjen një ditë kur fotot thrubek mbarojnë. Vjen një ditë kur cepat e shtëpisë dhe muret gjithashtu mbarojnë. Vjen një ditë kur edhe meme-t mbarojnë. Është pikërisht kjo ditë kur del zbuluar ajo që ke bërë gjatë gjithë kësaj kohe: kopjim, mediokritet, paaftësi për të patur një qëndrim personal, paaftësi “për të lidhur dy fjalë” dhe paaftësi për t’u sjellë vlerë reale atyre që të ndjekin. Nuk ka asnjë problem në kombinimin e një bluzeje të bardhë në disa mënyra, përsa kohë që është një punim i yti origjinal, me nuance personale brenda.

Dhe janë pikërisht këto ditë, kur si në një sitë mielli, kalojnë vetëm ata që kanë brum (ose bëhen brum). Reflektimi im, patetik për disa, është ky: përpos fakti që ndenjtëm me familjen, ndoshta pasi e gjithë kjo të mbarojë, do kemi kuptuar kë do lejojmë të na ndikojë dhe kë nuk do lejojmë.