5,000 aparate smart (telefona dhe tabletë, të pajisura me sim card dhe internet), do të dhurohen nga Fondacioni “Vodafone Albania” për t’u shpërndarë tek fëmijët, me qëllim që të mund të ndjekin mësimin online ofruar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), si edhe për të pasur mundësinë e aksesit falas në platformat e edukimit online të ofruara nga Vodafone Albania.
Këtë lajm të mirë e ka shpërndarë Ministrja Besa Shahini në rrjetet e saj sociale teksa shfaqet në një takim digjital me Drejtorin e Përgjithshëm të Vodafone Albania, z. Achilleas Kanaris për nismën #RedforKids, të ndërmarrë nga kompania që ai drejton.
“Fondacioni Vodafone dhuron 5,000 pajisje digjitale nxënësve që nuk mund të merrnin pjesë në mësimin online për mungesë pajisjesh digjitale. Ndihmë e madhe drejt barabartësise në arsim, që asnjë nxënës të mos mbetet prapa. Thank you Vodafone Foundation!”, është postimi i plotë i Ministres Shahini.
5,000 pajisjet smart do të shpërndahen ditët në vijim nga MASR për fëmijët e identifikuar të familjeve në nevojë në zona të ndryshme të Shqipërisë me qëllim që askush të mos mbetet larg orëve mësimore të zhvilluara në kushtet e shtëpisë.