Në këto ditë të vështira të luftës kundër koronavirusit shqiptarët po marrin gjithmonë e më shumë vëmendjen e italianëve me gjestet e tyre dhe bujarinë që kanë treguar në këto ditë të vështira për të gjithë.
Të gjendur përballë qytetarëve që kanë nevojë për ndihma, qoftë edhe ushqimore, shqiptarët në Trieste janë bërë bashkë dhe kanë bërë dhjetëra pako për njerëzit në nevojë.
Gjesti i tyre ka tërhequr vëmendjen e një qytetari italian, i cili përmes një videoje që është bërë virale dhe në rrjetet sociale, shprehet i mahnitur nga ky angazhim solidar.
Në video, shtetasi italian dëgjohet duke i bërë thirrje kreut të komunës së Triestes, që të marrë shembull nga shqiptarët, dhe të dalë të ndihmojë njerëzit në nevojë, pasi ata nuk kanë më nevojë që të dëgjojnë fjalë pasi duan vepra.
“Ky është një mesazh për kryebashkiakun, merr shembull nga miqtë tanë shqiptarë, shiko këtu, këta njerëz shkojnë në shtëpitë e atyre që nuk kanë para. Shihi miqtë shqiptarë, shihi, kanë gjithçka që munden për njerëzit. Duhet ti lësh fjalët, lëviz këmbët, pasi njerëzit kanë nevojë që të hanë.
Të mësojmë nga miqtë tanë shqiptarë, mësoni, lërini fjalët. Mos dilni të këndoni në dritare, njerëzit kanë uri. Zgjohu, Konte, shihni ndihmën e shqiptarëve, na duhet punë konkrete, njerëzit kanë uri, shihni kanë siguruar dhe ilaçe për njerëzit. Lëvizni”, shprehet qytetari në video, që nuk rresht së falenderuari shqiptarët.