Është një nga lojtarët që ka befasuar më shumë gjatë këtij sezoni. Po fasim për yllin e Shqipërisë dhe të Verona-s, Marash Kumbulla, i cili ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha, mes të cilëve është edhe Inter-i.
Mbrojtësi kuqezi ka zbuluar në një lidhje direkte në Instagram disa prapaskena të këtij sezoni të mrekullueshëm: “Dita ime më e bukur si futbollist ka qenë ajo e ndeshjes në shtëpi kundër Juventus-it”, ka thënë Kumbulla.

“Ishte ditëlindja ime dhe e kam festuar në mënyrën më të mirë të mundshme kundër skuadrës më të fortë në Itali. Kam kaluar të gjithë natën duke lexuar komentet dhe falënderimet”.

Si mbrojtës, Kumbulla ka dhënë edhe mendimin e tij mbi atë që ka qenë kundërshtari më i fortë me të cilën është përballur deri tani: “Sulmuesi më i fortë me të cilin jam përballur ka qenë Dybala, sepse është shumë i vështirë për t’u mbuluar, është i shpejtë dhe ka një teknikë të pabesueshme. Nëse është në ditë të mirë, nuk mund të bësh asgjë”.

Në fund, Marashi nuk është tërhequr mbrapa kur i është bërë një pyetje më e komplikuar: “Kush është më i mirë mes Messi-t dhe Ronaldo-s? Messi, gjithmonë”, ka thënë ai.