Pandemia e koronavirusit ka çuar në mbylljen e shumë kompanive dhe bisneseve si masë kundër përhapjes së Covid-19, por shumë të tjera kanë gjetur mënyra alternative për të vijuar aktivitetin, siç është puna nga shtëpia.
Mund të duket komode për shumicën, por puna në distancë mund të krijojë probleme si mungesë të përqëndrimit, të bashkëpunimit në grup dhe rënie të eficencës. Ndaj për shumë nga ata që në kushtet e karantinës janë të detyruar të punojnë para kompjuterit në kohën e karantinës, disa këshilla mund të jenë të vlefshme.
Nëse keni rolin e menaxherit, duhet të fokusoheni më shumë tek rezultatet se tek aktiviteti. Kontrolloni herë pas herë të punësuarit nëse kanë shenja të humbjes së besimit. E rëndësishme është të pranosh që janë të gjithë në të njëjtën situatë krize dhe parësor mbetet shëndeti, familja dhe miqtë.
Kushtet nuk janë të njëjtat, ndaj një mënyrë për të rritur produktivitetin është të mësohesh të punosh në kohë të ndryshme me bashkëpunëtorët e tu. Punëtorët në shtëpi nuk punojnë në të njëjtën kohë siç punonin në zyrë. Liderët duhet të mbeshtësin këtë skemë, në mënyrë që ata të koordinojnë përkushtimin në shtëpi dhe të jenë eficentë në punë.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme është të krijosh pauza, një kafe me miq, apo një pije pas pune, gjithmonë virtuale.
Para pandemisë, vetëm 5 përqind e amerikanëve punonin nga shtëpia rregullisht. Aktualisht miliona njerëz në të gjithë botën po punojnë nga karantina.