Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cilësoi një videokonferencë jo të zakontë ministerialin e Ministrave të Mbrojtjes të 30 vendeve anëtare të NATO-s, dedikuar COVID – 19.
Xhaçka tha se ekziston një mekanizëm i koordinimit të NATO-s në kohë krizash dhe fatkeqësish dhe gjatë këtij ministerial është diskutuar konkretisht aktivizimi i këtij mekanizmi.
“Është diskutuar aktivizimi i këtij mekanizmi, ku vendet bëjnë kërkesa. Është një strukturë koordinuese për sigurimin e nevojave që vendet kanë. Ajo që NATO bën, është që i vlerëson këto nevoja dhe koordinon për të siguruar ndihmë për ato vende ku situata është më kërcënuese”, tha Xhaçka.
E pyetur se cilat janë vendet më të kërcënuara Xhaçka tha se janë pikërisht ato që dimë tashmë, Italia, Spanja, Franca.
Ministrja tha se Shqipëria u përgëzua për mënyrën se si e ka adresuar situatën. Xhaçka tha se kërkesat e Shqipërisë në këtë ministerial kanë qenë kryesisht në drejtim të pajisjeve mjekësore dhe masave mbrojtëse.
“Është diskutuar për përforcimin e strukturave të NATO-s të angazhuara me emergjencat civile si dhe përgatitja e një plani emergjencash, gjë që aleancës i mungonte”, u shpreh Ministrja Xhaçka.