Mjeku Shqiptar Mario Ademaj, i cili është në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19 në Chicago, ka bërë të ditur gjatë një interviste televizive se në zonën ku ai punon janë zhvilluar 10% e testeve që nevojiten.

Sipas tij, tek personat me simptoma të vogla nuk po realizohet testi, por janë duke u ndjekur në shtëpi sikur të kishin COVID-19.

“Unë jam në Chicago. Kam ardhur me familjen kur isha 7-vjeç. Me origjinë jam nga Pogradeci. U trajnova në Kaliforni, tani jam në një nga qendrat më të prekura nga COVID 19”,- tha Ademaj.

“SHBA, edhe pse një vend i fuqishëm dhe i pasur është shfaqur shumë e pa përgatitur në këtë situatë të vështirë të pandemisë, sa i takon nivelit të kiteve, pasi kemi një mungesë gjigante. Ne besojmë se po bëjmë 10% të testeve që nevojiten dhe besojmë se shifra e të infektuarve mund të jetë 10-fish më e lartë se ajo që është regjistruar”,- tha Ademaj.

“Ne tani po rezervojmë testet vetëm për individët që kanë sëmundje kronike dhe rrezikojnë jetën, po rezervojmë testet për individët me simptoma të forta, që rrezikojnë jetën. Ndërsa për të tjerët, jemi duke i trajtuar sikur e kanë COVID-19 dhe po i këshillojmë të rrinë në shtëpi minimumi dy javë me përdorimin e ilaçeve të ndryshme sipas simptomave. Nëse simptomat rriten, presion në gjoks, temperaturë të lartë prej disa ditësh, apo ngjyrë blu në fytyrë, ne i njoftojmë të na marrin në telefon që t’i bëjmë testin. Këtu kitet e kontrollit i ka shteti, laboratori është në dorën e shtetit dhe ka vendosur një kriter shumë të vështirë për të realizuar testet dhe nuk arrihet kriteri i duhur”,- tha ai.

“Në fakt këtu në Chicago po bëhet një qendër epidemike, ashtu si New Yorku. Çdo shtet është në një situatë të ndryshme, Chicago po ndjek rrugën e New York, kemi 300 000 mijë të infektuar. Te zona ime, te shteti im, Visconsi janë 2 000 të infektuar. Në spitalin e rajonit tonë, gjysmat e respiratorëve janë në përdorim. Në total kemi 23, ku prej tyre 12 janë në përdorim. SHBA duhet të jetë më agresive për karantinë, gjysma e luftës bëhet brenda spitalit, gjysma jashtë spitalit”,- theksoi Ademaj.

“Në qoftë se ke simptomat të dobëta përdor ilaçe për simptomat që ke. Nëse ke temperaturë acetaminofel, paracetamol, jo ibuprofen. Për kollitje, robitasen, sanax për dhimbje gryke. Nëse ke ndonjë gjë që vijon të përkeqësohet, ndryshon ngjyra e fytyrës dhe bëhet blu, dhimbje në gjoks, apo presion në gjoks merrni në telefon mjekun tuaj dhe ndoshta do duhet të shtroheni në spital. Zakonisht virusi zgjat dy javë. Kur vdesin njerëzit nga COVID-19, vdesin se humbin funksionet disa organe vitale për shkak të mungesës së oksigjenit, pasi trupi duhet mbështetur me frymëmarrje deri sa të kaloj kjo fazë e virusit”,- tha Ademaj.