Me ekonominë amerikane që sa vjen e del gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit dhe pritet të zhytet në një situatë që nuk shihen që nga vitet ’30, presidenca e presidentit amerikan Donald Trump po vetë-shkatërrohet. Kjo ishte e qartë përgjatë gjithë muajit prill, kur dy forca kundërshtare, gënjeshtrat e Donald Trump dhe koronavirusi, u përplasën çdo ditë me njëra-tjetrën.
Nga Elizabeth Drew
T.S. Eliot e quajti prillin si “muajin më mizor”. Nëse presidenti amerikan Donald Trump, i cili nuk njihet si ndonjë adhurues i poezisë, do të tregohej i sinqertë me veten (një tjetër e panjohur), ai ka gjasa ta pranojë se ky muaj e ka dëmtuar ndjeshëm mandatin e tij.
Deri me 28 prill, SHBA-ja kryesonte botën më rreth 57,000 vdekje nga COVID-19 dhe mbi një milion infeksione të konfirmuara me koronavirus. Një analizë e fundit nga Shkolla e Shëndetit Publik Yale tregon se numri i vdekjeve të lidhura me pandeminë në muajt e parë të vitit 2020 tejkaloi vlerësimet zyrtare publike.
Një tjetër e dhënë në fund të muajit prill ishte se Trump kishte humbur besimin e pjesës së madhe të partisë së tij për çështjen e rëndësishme me të cilat përballet vendi. Sipas një sondazhi të AP të publikuar më 23 prill, vetëm 47% e republikanëve besonin “mjaftueshëm” në pretendimet e Trump për progres kundër virusit. Dhe vetëm 23% e të gjithë të anketuarve shprehen një nivel të lartë besimi në të.
Trump jo vetëm që çoi dëm kohën që kishte në dispozicion për të përgatitur vendin që ku u njoftua për herë të parë mundësia e një pandemie (të paktën në fillim të janarit); ai gjithashtu çoi dëm mundësinë e tij me votuesit. Dëmi nga gënjeshtra e tij u shoqërua nga një alarm kombëtar në lidhje me këtë temë. Dhe mburrja e pabazë e Trump në lidhje ato që ai ka arritur u përplas me dëshirën e tij për të shmangur përgjegjësinë për vdekjet dhe dëmet e tjera të shkaktuara nga përgjigja e tij e vonuar ndaj pandemisë.
Në mënyrë të parashikueshme, rezultati i stilit impulsiv të qeverisjes së Trump dhe vendosmëria e tij për të dominuar ciklin e lajmeve ka qenë një rrjedhë deklaratash të çuditshme dhe shpesh kontradiktore. Për shembull, pavarësisht Amendamentit të Dhjetë të Kushtetutës së SHBA-së, ai kohët e fundit pretendoi pushtet “total” nëse dhe kur qeveritë shtetërore mund të heqin kufizimet.
Ky hap politik shkaktoi kundërshtime dhe këshilltarët e tij politikë i kujtuan atij që strategjia ishte të shmangte përgjegjësinë për pandeminë duke e transferuar atë te qeveritarët e shtetit. Edhe pse Trump u tërhoq shpejt, kjo nuk e ndaloi atë të inkurajonte demonstrata nëpër shtete të ndryshme për të protestuar kundër vetë kufizimeve që ai kishte inkurajuar të imponoheshin.
E vetmja gjë me të cilën Trump është dukur komod gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë ka qenë pushimi i dy personave. Dy shënjestra të veçanta të hakmarrjes së tij kanë qenë inspektorët e përgjithshëm të departamenteve federale, sidomos nëse ata luajtën një rol në gjykimin e Trump në janar, dhe njerëz që nuk janë pajtuar publikisht me pikëpamjet e tij për pandeminë aktuale.
Nga ana tjetër, Trump është i frustruar se ai nuk mund të pushojë nga puna Anthony Fauci, kreu prej shumë kohësh të Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, i cili është pjesë e grupit të task forcës së Shtëpisë së Bardhë për çështjen e koronavirusit. Statusi i Fauci si autoriteti më i respektuar në kohë pandemie i ka dhënë atij mundësinë që të korrigjojë publikisht keqinformimin e shpeshtë të Trump – për shembull, në lidhje me përfitimet e pa vërtetuara (dhe më pas të rrëzuara) të ilaçeve antimalariale në trajtimin e COVID-19 – në përditësimet e përditshme të task forcës.
Ndërsa muaji prill vazhdonte, daljet e Trump në përditësimet televizive u bënë të lodhshme për publikun dhe renditja e tij nëpër sondazhe filloi të binte. Ndërkohë, politikat e izolimit në shumicën e shteteve po ngadalësonin shtimin e infeksioneve, ndërsa një sondazh i NBC / Wall Street Journal tregoi se gati 60% e publikut favorizonte politikat e qëndrimit në shtëpi në vend të lirimit të masave kufizuese përsa i takon lëvizjes së njerëzve. E megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve të Faucit dhe shkencëtarëve të tjerë, Trump foli me entuziazëm për “hapjen” e vendit.
Nuk duhet të jetë e habitshme që Trump ka abuzuar me pushtetin e tij në orkestrimin e përgjigjes federale ndaj pandemisë. Për shembull, ai u sigurua që Kolorado të merrte 100 respiratorë të nevojshëm dhe u sigurua që votuesit e Kolorados ta dinin këtë, me qëllim që të ndihmonte në rizgjedhjen e senatorit aktual, Cory Gardner.
Ndërkohë që filloi java e fundit e muajit prill, më shumë se 26 milionë punëtorë amerikanë ishin regjistruar si të papunë muajin e kaluar, Kongresi kishte aprovuar katër paketa në një vlerë prej 2.4 trilion dollarësh në ndihmë të biznesit dhe individëve, dhe politikëbërësit po debatonin rreth raundit tjetër të shpenzimeve. Ndërkohë që ekonomia po dilte jashtë kontrollit dhe pritej të zhytej në një thellësi që nuk shihej që nga vitet ’30, sondazhet sugjeronin që Trump do të humbiste zgjedhjet presidenciale të nëntor përballë kandidatit demokratik, Joe Biden.
Trump është bërë armiku më i keq i vetes së tij. Kur, më 23 prill, ai spekuloi nga podiumi i dhomës së konferencave për shtyp të Shtëpisë së Bardhë se COVID-19 mund të vritet duke injektuar dezinfektues shtëpiak ose me rreze ultra vjollcë, edhe shumë republikanë tashmë kishin parë mjaftueshëm. Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë thanë se daljet e tij në konferencat për shtyp, të cilat ai i kishte parë si zëvendësues për tubimet e shpeshta që nuk mund t’i mbante dot më, do të kufizoheshin. Vetë Trump, dukshëm i tronditur nga talljet që pasuan komentet e tij, i hodhi poshtë këto fjalë, duke bërë thirrje në Twitter se pjesëmarrja e tij “nuk ia vlen kohën dhe përpjekjen!”
Por ai nuk rrit dot larg. Vetëm disa ditë më pas, ai doli përsëri në podium, i vendosur të fitonte sadopak avantazh në maj.
Project Syndicate-Birn