Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” (FAS) nuk mund të akuzohet se është gazetë e majtë.
Jo. Është gazetë konservatore, rrjedhimisht ka simpati edhe për krishterimin.
Në numrin e sotëm (e diel) “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” shkruan se Kisha Katolike në Gjermani s’po bëhet rehat me ndalimin e shërbimeve fetare nëpër kisha për shkak të koronavirusit.
Disa priftërinj po e kritikojnë shtetin se po e pengon ushtrimin e lirë të besimit fetar.
Ndryshe po sillen krerët e komunitetit mysliman në Gjermani. Rreth pesë milionë myslimanë jetojnë në Gjermani.
Kryetari i Këshillit Qendror të myslimanëve në Gjermani, Aiman Mazyek, deklaroi të enjten:
“Ndonëse e kemi të vështirë t’i mbajmë të mbyllura xhamitë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, është përgjegjësi e jona fetare dhe qytetare që në fazën aktuale ta bëjmë pikërisht këtë”.
Mbrojtja e shëndetit dhe e jetëve të njerëzve gjatë pandemisë janë prioriteti më i lartë për besimtarët myslimanë, tha Mazyek.
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme të Gjermanisë Markus Kerber gjeti fjalë të mira për sjelljen e përgjegjshme të myslimanëve gjatë krizës së koronës: ata po tregojnë një nivel të lartë të përgjegjësisë dhe solidaritetit për shoqërinë tonë, tha Kerber.
E njëjtit mendim me kishën katolike gjermane është organizata islamiste Millî Görüş, e cila e ka bazën kryesisht në Turqi.(E.R)