Kur do të rinisë futbolli? Kjo është pyetja e vazhdueshme në një kohë kur tendenca e përhapjes së Koronavirus ka marrë tatëpjetën.

Vende si Belgjika apo Holanda i dhanë fundin sezonit, të detyruar nga vendimmarrjet e qeverive përkatëse, por në pjesën më të gjerë të Evropës ka shpresa reale, madje po mendohet mënyra e rikthimit në fushat stërvitore.

Në Angli, prej javës së ardhshme klubet do të hapin fushat e tyre stërvitore, por vetëm për stërvitje individuale. Arsenal është skuadra e parë që njoftoi zyrtarisht rinisjen e përgatitjeve. Futbollistët e “topçinjve” do të udhëtojë vetëm, do të stërviten individualisht dhe do të rikthehen në shtëpi, bën me dije klubi.

Në Angli pritet rishikimi i masave izoluese nga shteti në datën 7 maj dhe një rifillim i mundshëm i Premier League, në ditët e para të qershorit.

Spanja pati më 24 prill, numrin më të ulët të vdekjeve prej shpërthimit të pandemisë, duke rikthyer disi qetësi megjithatë rikthimi i La Liga-s është ende në plan të dytë në shtetin iberik.

Gjithsesi, kryeministri Pedro Sançez bëri me dije se nëse rastet pozitive vijojnë uljen, njerëzit do të lejohen të ushtrohen në natyrë prej datës 2 maj.

Gjermania duket vendi që është më pranë kthimit në normalitet, por që gjithsesi pa një dritë jeshile nga qeveria gjithçka mbetet vetëm një dëshirë.

Prej këtij fakti, klubet gjermane dhe austriake kanë nisur prej kohësh stërvitjet në masa sigurie për të qenë të gatshëm. Kancelarja Merkel do të diskutojë masat e reja në datën 30 prill, ndërsa hipotezat flasin për një rinisje të Bundesligës prej datës 9 maj.

Për kampionatin italian ka debate të mëdha për rifillimin e kampionatit, por një gjë është e sigurtë pas mbledhjes së UEFA-d me federatat anëtare. Serie A duhet të përfundojë me çdo kusht deri më 2 gusht.