Italia ka shënuar një numër në rënie viktimash në 24 orët e fundit.Raportet zyrtare nga shteti fqinj thonë se 443 persona kanë ndërruar jetë 24 orët e fundit, ndërsa 2,128 e kanë fituar betejën me koronavirusin.Spanja dhe Nju Jorku janë dy vatrat që sollën shpresë gjatë 24 orëshit të fundit mes pandemisë së koronavirusit. Autoritetet e dy vendeve raportuan numrin më të ulët në disa javë të vdekjeve.
Spanja shënoi 410 viktima këtë të diel, 185 viktima më pak se të shtunën. Një shifër kaq e ulët nuk ishte parë prej 22 marsit, kur përhapja COVID-19ës ishte në ditët më agresive. I gjithë vendi numëron mbi 20 mijë viktima e afro 196 mijë të prekur, rreth 4 mijë më shumë se të shtunën, duke shënuar po ashtu një shifër tepër të ulët infektimesh të reja.
Ndërsa shteti federal amerikan i Nju Jorkut shënoi 24 orëshin e fundit 540 viktima, shifra më e ulët e këtyre dy javëve. Nju Jorku ka numrin më të lartë të viktimave në shkallë kombëtare ose 1/3 e vdekjeve në gjithë Shtetet e Bashkuara. I gjithë vendi numëron mbi 730 mijë të prekur dhe mbi 39 mijë viktima. Këto shifra tregojnë se kulmi i pandemisë është arritur, ashtu siç pohoi pak ditë më parë presidenti Donald Tramp.
Me ritme tepër të larta, koronavirusi po përhapet në Turqi, ku numri i të prekurve ka arritur atë të Kinës mbi 82 mijë, duke kapërcyer Iranin që ka 100 të prekur më pak. Mbi 3 mijë raste të reja infektimesh janë shënuar vetëm në 24 orët e fundit. Megjithatë, zyrtarët në Ankara thanë se aktualisht po zhvillohet një testim masiv i popullsisë. Vdekshmëria është ndër më të ultat në botë deri më tani 2.2%, më e ulët edhe se Gjermania.
Shifra të larta infektimesh vijon të shfaqë Rusia. Një numër rekord prej mbi 6 mijë të infektuarish të rinj u shënuan gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar totalin e të prekurve në mbi 42 mijë. Ndërsa numërohen në total 361 viktima. Zyrtarët rusë të emergjencës thanë se 43% e rasteve të reja janë të bartës pa simptoma të virusit.I gjithë globi numëron mbi 2.3 milionë të prekur mes të cilëve mbi 161 mijë të vdekur. Ndërsa 25% e të infektuarve të deritanishëm janë shëruar.