Ministrja e Drejtësisë, nga salla e Kuvendit, duke folur për punën që është bërë në sistemin penitenciar për të përballuar situatën e pandemisë, ka shprehur mirënjohje ndaj të gjithë stafit që ka zbatuar masat dhe që ka kryer me përpikmëri punën pavarësisht situatës së vështirë ku ndodhet vendi.

“Theksoj se një sërë masash shëndetësore janë ndërmarrë në të gjitha burgjet, me mjete mjekësore parandaluese por edhe me kontrolle të shtuara nga ekipet shëndetësore për të gjithë personat e privuar nga liria, të cilat mbajnë në vrojtim raste të dyshuara në këtë pandemi ku padyshim edhe sistemi i burgjeve nuk është imun. Na është dashur që të pezullojmë takimet e të dënuarve me familjarët e tyre ashtu si dhe zbatimin e një protokolli me masa të posaçme të shtuara sigurie për këtë situatë. Për këtë arsye dua të falenderoj të gjithë qytetarët, familjarët e të dënuarve që janë treguar mirëkuptues por pa dyshim mirënjohje pa fund për të gjithë armatën e policëve, stafit shëndetësor dhe stafit civil në sistemin e burgjeve, të cilët në kushte shumë të vështira, me kilometra që ju është dashur të bëjnë, me orare të zgjatura, jo vetëm që kanë kryer punën e tyre me përpikmëri, por kanë sakrifikuar mbi veten dhe atë që është me e rëndësishme mbi familjen e tyre. Mirënjohje!”, u shpreh Gjonaj.

Më tej, ministrja e Drejtësisë drejtoi një apel edhe ndaj medias ku herë pas here botohen informacione të paverifikuara duke ngjallur panik te stafi i Burgjeve por edhe te familjarët e të dënuarve.

“Përtej vështirësive të jashtëzakonshme, puna e çdo polici, i të gjithë strukturave dhe i të gjithëve ne, vështirësohet duke vënë në rrezik një nga sistemet më të rëndësishme kur lajme të rreme apo të pakonfirmuara përhapen nga media të ndryshme për raste Covid-19 në burgje. Për këtë arsye i bëj thirrje medias, që të tregojnë përgjegjshmëri, maturi dhe ajo që është më e rëndësishme porporcionalitet në trajtimin e lajmeve kur kemi të bëjmë me raste të institucioneve të sigurisë së lartë pasi lajme të tilla krijojnë situata paniku tek personat e dënuar, familjarët e tyre dhe punonjësit e policisë të cilat sjellin pasoja të pariparueshme në rendin dhe sigurinë”, u shpreh Gjonaj.

Ndërkohë, lidhur me menaxhimin e situatës Gjonaj solli në vëmendje punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë si dhe ndërmarrjen e tre akteve normative.

“Ashtu si dhe në fushën që mbulon Ministria e Drejtësisë, janë ndërmarrë tre akte normative që kanë rregulluar në këtë situatë veprimtarinë e disa proceseve në fushën e drejtësisë, të proceseve gjyqësore dhe ekzekutimit të vendimeve. Por gjithashtu një situatë delikate që ka marrë vëmendjen dhe angazhimin maksimal timin, të Qeverisë dhe të të gjitha strukturave të Ministrisë së Drejtësisë, është situata në sistemin penitenciar. Pas një analize të të gjitha praktikave të ndjekura nga shtete të ndryshme por edhe në përputhje të plotë me rekomandimet e organizmave ndërkombëtarë në fushën e drejtësisë dhe atyre të burgjeve, miratuam aktin normativ për lirimin e përkohshëm me 3 muaj të të dënuarve me rrezikshmëri të ulët nga i cili deri më tani kanë përfituar 358 persona. Kjo masë u ndërmor me qëllim garantimin e të drejtave të njeriut nga një anë dhe përgjigjen me masa për përballimin e situatës nga ana tjetër, ku lirimi i tyre jep mundësinë që të ulë mbipopullimin në burgje dhe të mundësojë një shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve që janë në dispozicion”, nënvizon Gjonaj.

Sa i përket propozimeve për shtesat në Kodin Penal, Gjonaj nënvizoi se nuk kanë si qëllim ne vetvete ndëshkimin dhe nuk shërbejnë për asgjë tjetër përveçse mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve në rastet e pandemive.

“Këto shtesa do duhej të bëheshin shumë më herët ashtu si vende të ndryshme evropiane i kanë në kodet e tyre tashmë më shumë se disa dekada. Për shkak të kësaj nevoje dhe të vakumit ligjor që ekziston në Kodin tonë penal lindi nevoja e plotësimit të tyre. Këto propozime janë sjellë në përmbushje të standarteve ndërkombëtare të Këshillit të Evropës por njëkohësisht dhe në përshtatje me legjislacione penale të vëndeve të tjera. Por gjithashtu dhe një sërë vendesh të tjera të gjëndur në situatën e ngjashme me tonën, janë duke marrë të njëjtat masa legjislative si ne. Të gjitha këto iniciativa legjislative, i janë nënshtruar kontrollit parlamentar por njëkohësisht i janë nënshtruar edhe një procesi konsultimi me ekspertë vendas, aktor ndërkombëtar si dhe me një sërë institucionesh të drejtësisë”, tha ndër të tjera ministrja e Drejtësisë.