Shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e 800 shtëpive individuale si dhe të dhënies së parave cash për ata të tjerë që kanë pësuar dëme më të lehta nga tërmeti. Në një intervistë për Neës 24, kryebashkiaku Veliaj sqaroi dhe kategoritë që do të përfitojnë të parat.
“Ne sapo kemi hapur garën për 800 shtëpi individuale që do u dedikohen atyre që u është prekur nga tërmeti. Pra dëmi i nivelit të pestë ndërkohë që shumë shpejt ne do të fillojmë pagesat për kategoritë D1, D2, D3 pra, nga dëme bazë. Pra shumë shpejt do fillojmë dhe me paratë cash por dhe me rindërtimin e shtëpive individuale. Besoj që brenda majit do kemi rezultatin e asaj gare dhe do fillojmë punën. Plani i bashkisë së Tiranës është që ne s’do kemi pushime gjatë verës për të rifituar kohën e humbur”, theksoi Veliaj.
Një nga kantieret më të mëdhenj do të jetë dhe ai i rindërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa vijon paralelisht puna dhe për shkollat e reja të planifikuara më parë.
“Në total janë 7 shkolla që do të prishen, pjesa më e madhe e tyre janë në zonat rurale, ato do të ribëhen, jo detyrimisht në vendin ku ka qenë shkolla, por ajo që ne duam është që siç po sjellim familjet në zonat e banuara, për t’i sjellë në Vaqarr. Ndërkohë disa shkolla të tjera do të ndërhyhet vetëm pjesërisht. Fjala vjen shkolla “Emin Duraku” ose “Musine Kokalari”, shkollat janë në dy pjesë pra një e re dhe një e vjetër. Ajo pjesë që është dëmtuar do të ribëhet, ndërkohë që pjesa që i ka rezistuar, jo vetëm tërmetit, por edhe testeve që kanë bërë inxhinierët me betonin dhe çelikun, do të mbahen siç janë. Në total janë 11 shkolla prej tërmetit dhe 17 shkolla të reja fringo që Bashkia e Tiranës tashmë i ka filuar. Siç është shkolla “Nënë Tereza” dhe “Kenedi” në Kodër Kamzë, një 9-vjeçare dhe një gjimnaz. “Kristo Frashëri” dhe “Vaçe Zela” te Don Bosko dhe të tjera që do të fillojnë me një Lot kryesisht në zonën e Freskut, në zonën e Qytetit Studenti, pra në zonën e Saukut dhe në mos gaboj një shkollë tjetër afër Tufinës. Pra jemi në 3 pika të Tiranës Veri-Lindore”, u shpreh ai.
Duke u ndalur në masat e marra për përballimin e pandemisë COVID 19, Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës u ka ardhur në ndihmë 20 mijë familjeve në kryeqyttet duke filluar nga njerëzit në nevojë, tek të moshuarit e vetmuar, ata me aftësi të kufizuara, etj.